LajmeMaqedoniTopLajm

DEBAT NË PARLAMENT: “20 përqindëshi” mbetet pa përgjigje!

Në seancën për pyetje deputetësh në Parlament, deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi i është drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski me një pyetje të drejtpërdrejtë: a ekziston vullnet politik për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të hequr referimin që e përkufizon gjuhën shqipe si gjuhë të “20 për qindëshit”. Rexhepi e nisi duke akuzuar Qeverinë se ka pozicionuar një narrativë që, sipas tij, i largon problemet reale të vendit. Ndërsa debatohet për gjuhën shqipe, për ligjin për përdorimin e saj dhe për provimin e jurisprudencës tha ai pjesa tjetër e botës ka kohë që merret me çështje krejt të tjera. “Kjo qeveri po arrin t’i defokusojë të gjitha problemet reale që ka vendi. Gjithë ky defokusim bëhet duke shkelur të drejtat e mia”, deklaroi deputeti Rexhepi.

Ai vuri në dyshim edhe rolin që po i jepet Komisionit të Venecias në debatet për ligjet që prekin shqiptarët. “Komisioni i Venecias nuk mund të jetë mbi Kuvendin, mbi Kushtetutën. Është këshillëdhënës, vetëm jep këshilla për ligjet, por nuk ka fuqi vendimmarrëse. Që ne sot të bazohemi te ky komision, qoftë për ligjin për gjuhët, qoftë për ligjin për përfaqësim të drejtë e adekuat, kjo nuk ka kurrfarë logjike,” theksoi Rexhepi.

Pyetjen kryesore e formuloi si çështje identiteti. Sipas tij, përkufizimi i gjuhës shqipe me një numër 20 për qind është fyes për të si shqiptar, për identitetin dhe kulturën e tij. Rexhepi i kujtoi kryeministrit edhe një deklaratë të vitit 2020, kur, sipas tij, vetë Mickoski kishte thënë se nuk është në rregull që një bashkësi të emërtohet me numër. “I keni numrat, i kemi numrat mbi 100 deputetë, a keni vullnet politik për të hequr formulimin 20 përqind” tha Rexhepi. Kryeministri e nisi përgjigjen me një qortim ndaj tonit të deputetit, duke thënë se priste më shumë objektivitet. Krahas deklarimit për pyetjen konkrete Mickoski zgjodhi që ta këshillojë Rexhepin për qëndrimet e këtij të fundit. Mickoski u shpreh se distancohet nga një qëndrim i mëparshëm i Rexhepit lidhur me shtetin e Izraelit dhe se nuk qëndron pas tij.

Për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, Mickoski iu kthye opozitës me kundërpyetje: sa ministra drejtësie kishte pasur koalicioni i Rexhepit dhe pse çështja nuk ishte zgjidhur atëherë.

“Jeni patriotë ‘Ali Ekspres’ kur jeni në opozitë, ndërsa kur jeni në pushtet promovoni agjenda të gjelbërta”, tha ai. Kryeministri theksoi se Qeveria po investon miliona euro në ndërtimin e kampusit universitar të Universitetit “Nënë Tereza”.

Sa i përket pyetjes kryesore, Mickoski u shpreh se e mbështet idenë që një popull të mos llogaritet si përqindje, por nuk u shpreh se është I gatshëm të ndryshojë kushtetutën, ndërsa me këtë rast edhe konfirmoi se Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat nuk merr si bazë kuotat etnike. “Do të keni mundësi të votoni ligjin për përfaqësim të drejtë, ku përqindjet nuk vlejnë, por cilësia. Pres nga ju mbështetje. Njoh shumë shqiptarë që nuk duan veten ta shohin me përqindje” tha ai. Rexhepi nuk u kënaq me përgjigjen. “Objektiviteti mungon te ju totalisht. Pyetja ishte aq e sinqertë, ju si opozitar keni kërkuar ndryshime kushtetuese, ndërsa sot theksoni se si duhet të shihen shqiptarët” replikoi deputeti Rexhepi, i cili shprehu vërejtjen e tij duke thënë se me fjalë nuk rregullohen të drejtat e një populli, por me ligje.

Related Articles

Back to top button
Close
Close