
Kur Azir Aliu mori drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, pritjet ishin të mëdha. U prezantua si profil teknik, si njeri i teknologjisë dhe i menaxhimit modern, me paralajmërime pompoze për reforma, digjitalizim dhe “transformim” të sistemit shëndetësor. Por një vit më vonë, bilanci mbetet i zbehtë dhe qytetarët ende nuk shohin ndryshim konkret në jetën e tyre të përditshme.
Premtimi për zgjidhjen e problemit të parkingut në Qendrën Klinike ishte ndër temat e para që Aliu e ngriti sapo mori mandatin. U fol për zgjidhje të shpejtë, për modele moderne menaxhimi dhe për fundin e kaosit që për vite ka rënduar pacientët dhe familjarët. Sot, pas një viti, situata mbetet pothuajse e njëjtë. Nuk ka projekt të dukshëm, nuk ka punime konkrete dhe nuk ka asnjë sinjal se problemi po merr zgjidhje serioze.
Edhe më shqetësuese është mungesa e reformës së paralajmëruar në organizimin e spitaleve. U fol për riorganizim të sistemit, për funksionalizim më efikas dhe për përmirësim të shërbimeve, por në terren qytetarët vazhdojnë të përballen me të njëjtat korridore të mbingarkuara, të njëjtat pritje dhe të njëjtën ndjenjë pasigurie.
Në shumë raste, qasja e pacientëve në shërbime sot perceptohet edhe më e vështirë se më parë. Ajo afërsi minimale që qytetarët kishin dikur me sistemin shëndetësor po humbet mes burokracisë, mungesës së koordinimit dhe një administrate që duket më shumë e fokusuar në prezantime sesa në zgjidhje reale.
Si inxhinier dhe profesor universitar, Azir Aliu e ka vendosur shpesh digjitalizimin në qendër të diskursit të tij publik. Por problemi i shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut nuk fillon te mungesa e aplikacioneve apo platformave digjitale. Problemi fillon te infrastruktura bazë. Nuk mund të flitet për revolucion teknologjik në spitale ku mungojnë kushtet elementare, ku repartet funksionojnë me pajisje të vjetruara dhe ku pacientët përballen me probleme themelore organizative.
Pikërisht këtë realitet e përshkruan edhe gazetari Lirim Dullovi në analizën e tij “35 vjet të humbura”, ku shkruan se në Maqedoni “ende shfrytëzohen kryesisht kapacitetet shëndetësore të ndërtuara gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë”. Ai citon edhe ish-funksionarë të shëndetësisë që vlerësojnë se “90 deri në 95 për qind” e infrastrukturës aktuale i përket asaj periudhe.
“Kjo shtet nuk ka realizuar as 5 për qind të asaj që do të duhej të kishte bërë vetëm në sektorin e shëndetësisë”, shkruan Dullovi, duke ngritur pyetjen thelbësore: çfarë është ndërtuar realisht në këto 35 vite?
Dhe pikërisht këtu qëndron edhe dilema për mandatin e Azir Aliut. A po ndërtohet diçka reale në shëndetësi, apo po riciklohen slogane të reja mbi probleme të vjetra?
Sepse qytetarët nuk kanë nevojë për konferenca mbi digjitalizimin, nëse ende përballen me mungesë termini, kaos në klinika dhe kushte të dobëta trajtimi. Nuk kanë nevojë për marketing institucional, por për spitale funksionale, sistem efikas dhe qasje më humane ndaj pacientit.
Një vit është kohë e mjaftueshme për të treguar drejtim. Deri tani, drejtimi mbetet i paqartë.



