BotaLajme

Pentagoni ul praninë ushtarake në Evropë, SHBA-të reduktojnë brigadat dhe forcat për NATO-n

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka njoftuar reduktimin e numrit të brigadave luftarake të vendosura në Evropë, duke i ulur ato nga katër në tre. Vendimi vjen në kuadër të një rishikimi më të gjerë të pranisë ushtarake amerikane në kontinent dhe pritet të ndikojë edhe në forcat që Shtetet e Bashkuara vënë në dispozicion të NATO-s në rast krizash apo konfliktesh.

Sipas raportimeve të Reuters, administrata e presidentit Donald Trump synon të reduktojë ndjeshëm angazhimin ushtarak amerikan në Evropë, duke rikthyer nivelet e dislokimit në ato të vitit 2021.

Sipas modelit aktual të NATO-s, vendet anëtare identifikojnë së bashku forcat që mund të përdoren në rast sulmi ndaj një shteti të aleancës apo gjatë krizave të mëdha ndërkombëtare. Megjithatë, SHBA-të pritet t’u komunikojnë aleatëve se do të ketë më pak forca të disponueshme për NATO-n në të ardhmen.

Në deklaratën e Pentagonit thuhet se ky rishikim lidhet edhe me zbatimin e politikës “America First” (Amerika e Para), duke nxitur aleatët evropianë të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, zhvilloi gjithashtu një takim me zëvendëskryeministrin polak Kosiniak-Kamysz, ku u diskutua për praninë ushtarake amerikane në Poloni dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s.

Pentagoni theksoi se Polonia ka treguar aftësi dhe vendosmëri për të garantuar mbrojtjen e saj, ndërsa u bëri thirrje edhe vendeve të tjera të NATO-s të rrisin investimet në sigurinë dhe mbrojtjen e tyre ushtarake.

Related Articles

Back to top button
Close
Close