
Ish-Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi dhe ish-Kancelarja gjermane, Angela Merkel janë dy opsionet që po shqyrtohen nga qeveritë e Bashkimit Evropian për t’i përfaqësuar ato në negociatat e mundshme me Rusinë, raportoi Financial Times.
Ndërsa momentumi për rihapjen e kanaleve zyrtare të komunikimit me Rusinë intensifikohet, ministrat e jashtëm të BE-së pritet të shqyrtojnë meritat e kandidatëve potencialë në një takim në Qipro javën e ardhshme, thanë burime me njohuri për konsultimet për gazetën.
Kjo u parapri nga mbështetja e shprehur nga Uashingtoni dhe Kievi për përfshirjen evropiane në bisedimet me Putinin rreth luftës në Ukrainë.
Administrata e Donald Trump , e cila aktualisht është e përqendruar në luftën në Lindjen e Mesme , i ka informuar zyrtarët evropianë se nuk është kundër komunikimit paralel evropian me Rusinë, si pjesë e përpjekjeve amerikane për paqe, thanë tre nga burimet.
Në këtë kontekst, diskutimi mbi emërimin e një të dërguari të përbashkët evropian po intensifikohet, pavarësisht mosmarrëveshjeve të konsiderueshme midis shteteve anëtare në lidhje me fizibilitetin dhe fushëveprimin e një roli të tillë, si dhe skepticizmit nëse Putini do të reagonte pozitivisht.
Përveç Draghi-t dhe Merkel-it, disa qeveri kanë nominuar edhe presidentin finlandez Alexander Stubbs dhe paraardhësin e tij Sauli Niinisto.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha këtë muaj se BE-ja po përgatitej për bisedime “të mundshme” me Putinin.
Diskutimet midis kryeqyteteve evropiane vazhdojnë në nivele të ndryshme, ndërsa nuk përjashtohet që çështja të ngrihet zyrtarisht në një Samit të BE-së në qershor.
“Ne pajtohemi që Evropa duhet të marrë pjesë në negociata”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pas një telefonate me Costën të dielën. “Është e rëndësishme që ajo të ketë një zë dhe prani të fortë në këtë proces dhe të përcaktojë se kush do ta përfaqësojë atë”.



