
Në ambientet e Universiteti “Nënë Tereza” u promovua libri “Udhëtim nëpër kohë” i autorit Qemal Musa nga Velesi, një vepër që sjell kujtime, përjetime dhe reflektime nga një jetë e tërë e përkushtuar ndaj arsimit dhe edukimit të brezave.
Në këtë promovim morën pjesë personalitete nga jeta akademike, kulturore dhe institucionale, ndërsa një fjalim emocional mbajti edhe kryetari i Komunës së Çashkës, i cili vlerësoi figurën dhe kontributin shumëvjeçar të mësuesit Qemal Musa.
Ai theksoi se Qemal Musa nuk ishte vetëm një arsimtar, por një simbol i dijes, urtësisë dhe edukatës në Çashkë dhe Veles. Sipas tij, mësuesi Musa gjithë jetën ia kushtoi arsimit, duke besuar se dija është rruga më e sigurt drejt emancipimit dhe dinjitetit njerëzor.
Në fjalimin e tij, kryetari i Komunës së Çashkës ndau edhe një moment prekës nga takimi i fundit me autorin në hapësirat e komunës, ku, sipas tij, emocionet dhe këshillat e mësuesit Qemal do t’i mbesin përgjithmonë në kujtesë.
“Këto nuk janë vetëm fjalë. Këto janë emocione të një gjenerate që ka pritur gjatë për dinjitet, respekt dhe barazi”, u shpreh ai gjatë promovimit.
Libri “Udhëtim nëpër kohë” u cilësua si një dëshmi e një rruge të gjatë me sakrifica, përkushtim dhe dashuri për njerëzit, ndërsa autorit iu uruan shëndet dhe jetë të gjatë për kontributin e tij të çmuar në arsim dhe shoqëri.



