
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në profilin e tij ka dalur në mbështetje të protestës së studentëve shqiptarë në Shkup duke shkruar se ata nuk kërkojnë privilegje dhe se gjuhën shqipe nuk kanë mundur ta ndalin as kralar as sulltanat, shkruan Top24
Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është opsionale. Është gjuhë autoktone, gjuhë e këtij trualli, që nuk kanë mundur ta ndalin as kralat e as sulltanët. Ajo ka mbijetuar brez pas brezi, në familje, në shkolla, në këngë e në sakrifica.
Shqipja është e garantuar me Kushtetutë dhe me të drejtën e patjetërsueshme të çdo shqiptari për të folur shqip në vendin e vet, për të studiuar shqip, për të shkruar, menduar dhe për të marrë frymë shqip pa frikë e pa kompromis.
Studentët shqiptarë sot nuk po kërkojnë privilegje, po kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për identitetin e tyre.
Me zemër, me shpirt dhe me krenari jam me ju nesër, studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Zëri juaj është zëri i çdo shqiptari që nuk pranon të heshtë përballë padrejtësisë.
I juaji,
Ramushi



