LajmeMaqedoniTopLajm

Nga 250 mijë në 600 mijë euro për pak ditë, LSDM publikon aferën në Kumanovë

Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë ka akuzuar koalicionin qeverisës VMRO-ZNAM-VLEN për, siç thuhet, “skandalin më të madh korruptiv në Kumanovë”, që lidhet me ndryshimet në Planin e Detajuar Urbanistik dhe shitjen e tokave në këtë komunë, shkruan gazeta KOHA.

Në një konferencë për media, anëtarja e Kryesisë Ekzekutive të LSDM-së, Renata Mlladenovska, deklaroi se Këshilli i Komunës së Kumanovës në seancën e fundit, ka miratuar me 17 vota “pro” vendimin për ndryshim dhe plotësim të Planit të Detajuar Urbanistik për një pjesë të njësisë urbane “Tode Mendoll”, ku ndodhen parcelat që, sipas opozitës, lidhen me aferën e kumbarit të kryetarit të Komunës, Maksim Dimitrievski.

Sipas LSDM-së, me këtë vendim rreth 600 mijë euro do të përfundojnë në llogarinë e Dragan Milevskit, të cilin e përshkruajnë si kumbar dhe partner biznesi të Dimitrievskit.

“Kush votoi për këtë vebdim? Këshilltarët e VMRO-së, ZNAM-it dhe VLEN”, deklaroi Mladenovska, ndërsa akuzoi Dimitrievskin se përmes marrëveshjeve të dyshimta, ka mundësuar përfitime të mëdha financiare për persona të afërt me të.

Sipas pretendimeve të LSDM-së, Dragan Milevski kishte blerë tokë nga Dimitrievski dhe familja e tij për 250 mijë euro dhe vetëm disa ditë më vonë, ia kishte shitur kompanisë Lidl për 600 mijë euro, duke realizuar fitim prej 350 mijë eurosh “pa asnjë investim”.

“A ekziston konflikt më i qartë interesi dhe korrupsioni? Ky është një skandal epik korruptiv në Kumanovë”, deklaroi Mlladenovska.

LSDM-ja akuzoi gjithashtu Prokurorinë Publike se nuk po vepron për rastin dhe se prokurori publik “po pret urdhra nga kryeministri Mickoski”.

Në konferencë, partia opozitare akuzoi edhe subjektin politik ZNAM, duke pretenduar se është krijuar për interesa biznesore të Dimitrievskit dhe jo për interesa qytetare.

Mlladenovska përmendi edhe raste të tjera, si tenderi në Postën e Maqedonisë me vlerë prej 1.2 milionë eurosh, për të cilin pretendon se i është dhënë një kompanie të afërt me ZNAM-in.

Related Articles

Back to top button
Close
Close