LajmeMaqedoniOpinion

Kur Beogradi u ndaloi shqiptarëve shkollën, xhaminë dhe kishën! (2)

Me ardhjen e Millan Stojadinoviqit në krye të Qeverisë së Mbretërisë jugosllave, u intensifikua procesi i shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova për në Turqi. Ministri i Bujqësisë, Stankoviq, u tha deputetëve të Kosovës, Ramë Bllacës, Zenel Ibrahimit dhe Mustafa Dërgutit se: “nuk duhet që të rrini më në Jugosllavi, ikni në Turqi dhe paskëndej kufiri i Shqipërisë quhet kufi italian, prandaj interesi i Jugosllavisë e do që Serbia Jugore të pastrohet nga elementët e dyshimtë”

Nga Qerim LITA

(vijon nga numri i kaluar)

Këtë situatë të rëndë të popullsisë shqiptare në Kosovë dhe në viset tjera nën Jugosllavi, e përshkruante edhe ministri shqiptar në Beograd, Rauf Fico, i cili, më 10 tetor 1933, i raportonte ministrit të Jashtëm, Xhafer Vilës, se shqiptarët e Kosovës nuk gëzojnë as të drejtën më elementare të çdo njeriut, pra, ata nuk kishin asnjë shkollë, dhe “ato shkolla që i kanë pas më parë katolikët” ishin mbyllur. Përveç kësaj, siç vë në dukje diplomati shqiptar, atyre, deri diku u ishin cenuar edhe liritë fetare, duke i “shtrënguar shqiptarët myslimanë ta ndërrojnë fenë” pastaj duke i “ndaluar të shkojnë në xhami për t’u falur”, ndërsa shqiptarëve katolik u ishte “ndaluar mesha në gjuhën shqipe duke i frikësuar me vrasje”. Në vazhdim të raportit, Fico, bënë një përshkrim më të gjerë për arsyet dhe shkaqet e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqiu, ku veç tjerash ai shkruan:

“…Me zbatimin e ligjevet të ndryshme të kolonizimit e të reformës agrare me qindra familjeve Shqiptare, u janë zaptuar tokat ashtu edhe banesat dhe këta banorët e vjetër të vendit janë shtyrë në mizer për t’iu lënë vendin sllavëve që do të instalohen nër tokat e tyne. Ky është shkaku i vërtetë i emigracionit të Kosovës. Raportat e shumta që janë  n’at P.T. Ministri kanë dokumentime të mjafta mbi këtë çështje. Për emigrim kosovarët natyrisht preferojnë Shqipërin, por mbasi nuk iu lejohet ardhja në Shqipëni shtrëngohen të venë në Turqi dhe kështu shumica e tyne shduken nga faqja e dheut me njëmijë mjerime…”.

Ndërkohë, me ardhjen e Millan Stojadinoviqit në krye të Qeverisë së Mbretërisë jugosllave, u intensifikua procesi i shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova për në Turqi. Ministri i Bujqësisë, Stankoviq, u tha deputetëve të Kosovës, Ramë Bllacës, Zenel Ibrahimit dhe Mustafa Dërgutit se: “nuk duhet që të rrini më në Jugosllavi, ikni në Turqi dhe paskëndej kufiri i Shqipërisë quhet kufi italian, prandaj interesi i Jugosllavisë e do që Serbia Jugore të pastrohet nga elementët e dyshimtë”. Këtij kërcënimi të ministrit serb, deputetët shqiptar iu përgjigjën se, “pas kësaj deklarate, neve nuk kemi se ku të shkojmë, përveç se të bashkohemi me popullin dhe të mbrojmë me kiza në duar tokën ku kemi le dhe të drejtat e jetesës së popullit tonë…”.

Burimet diplomatike shqiptare bëjnë të ditur për një “marrëveshje të fshehtë” të arritur gjatë viteve 1935-1936, midis qeverive turke dhe asaj jugosllave, mbi bazën e së cilës qeveria turke merrte përsipër të vendoste në territorin e vetë disa qindra mira “myslimanë” të shpërngulur nga Jugosllavia, të cilët në fakt ishin që të gjithë shqiptarë nga Kosova dhe trevat lindore shqiptare, e të cilët përbënin “preokupimin më të madh për ushtrinë jugosllave” pasi ata shtriheshin në brezin kufitar shqiptarë dhe se “asimililimi i tyre brenda një kohe të shkurtë ishte e pamundur”. Mirëpo, kjo u hodhë poshtë nga ministri i plotfuqishëm turk në Beograd, Hasan Riza Sojak, i cili në një bashkëfjalim të tij në Shkup, me një student shqiptar, anëtar i organizatzës “Besa”, do t’i deklaroj si vijon: “Kryeministri jugosllav, në udhëtimin e tij të fundit në Ankara, ka kërkuar me insistim që qeveria turke të pranojë 100 mijë emigrantë turq nga Maqedhonia dhe 100 mijë shqiptarë nga Kosova, por qeveria turke i është përgjigjur se për tre vjet nuk është në gjendje të pranojë asnjë emigrant nga Jugosllavia sepse është e okupuar me installimin e turqve të Rumanis dhe Bullgaris dhe se, mbas tre vjet, munden të dy qeverit me u marr vesht mbi këtë çështje, me konditë që Jugosllavija t’i paguajë qeverisë turke shpenzimet e udhëtimit, installimit dhe t’ushqimit për një vit t’emigrantëve”. Në vazhdim të bisedës, diplomati turk i ka deklaruar studentit shqiptar se “asnjë marrëveshje e tillë nuk ishte e lidhur” dhe se “vështirë se do të arrihej” edhe pas tre viteve, aq më tepër, shuma që do t’i kërkohej  Jugosllavisë, do të ishte aq a madhe “saqë është vështirë t’i paguaj Jugosllavia”.

Pa marrë parasysh këtë, autoritetet kompetente jugosllave, e filluan zbatimin e Reformës Agrare me një intensitet më të madh dhe familjet shqiptare, të cilat në të shumtën e rasteve ishin familje patriarkale të përbëra prej numri më të madh të anëtarëve, detyroheshin t’i linin tokat dhe shtëpitë e tyre për të marrë rrugën e mërgimit, pasi jeta në vendin e tyre ishte e pamudur, qoftë për shkak të marrjes së pronave por edhe për shkaqe të tjera që rridhnin nga masat arbitrare dhe të aksioneve të llojllojshme që autoritetet lokale ushtronin kundër tyre. Një ndër masat që më së shumti ndërmerreshin nga autoritetet lokale kundrejt popullsisë shqiptare në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare nën Jugosllavi, ishte “dorëzimi i armëve të tyre”, që në fakt ata nuk e posedonin pasi ishin të ç’armatosur me kohë. Përkundër kësaj, policia dhe xhandarmëria serbe, insistonin në kërkimet e tyre me kërcënime, torturua, rahje dhe duke i munduar fshatarët e mjerë shqiptarë, të cilët në të shumtën e rasteve detyroheshin që të blejnë armë nga ndonjë kolonistë serbë apo malazezë, për t’ua dorëzuar autoriteteve policore serbe, vetëm e vetëm që të shpëtonin përkohësisht nga persekutimet, sepse, siç vënë në dukje këto burime, ato “në rastin e parë dhe për ndonjë shkak tjetër këto persekutime përsëriteshin”.  Konsulli shqiptar në Manastir, Xhemal M. Frashëri, i raportonte Ministrisë së Punëve të Jashtme, për një sërë masa terrorizmi kundër popullsisë shqiptare në Qarkun e Manastirit.

“Tmerri q’u-është kallur shqiptarëve të këtij qarku nga ana e autoriteteve lokale, shkruante Frashëri, është aq i madh, saqë këta të mjerë kanë frikë të kallzojnë edhe emrat e organeve qeveritare që i rrahin, i shajnë e që i çnderojnë botërisht. Duke qenë se pretekstet e rrahjeve, të burgimeve e të çnderimeve (si për shembull propagandë në favor të Shqipërisë) janë të pa-themelta del prej vetiu se qëllimi i qëndrimit të adaptuar tani në fund prej autoriteteve kundrejt elementit shqiptar me më rreptësi, është që si e si të detyrojnë këta të shkretë me masa e mjete indirekte të largohet nga vatrat e tij e të emigroj në Shqipëri. Gjithë shqiptarëve të Jugosllavisë u është ndaluar krejtësisht mbajtja e kësulës, edhe në vend të saj u-është impozuar, me urdhëra zyrtare, mbajtja e kapellës kombëtare serbe, pa strehë. Kohë pas kohe u-bëhen përkuzicione në shtëpitë e tyre nën pretekstin se këta (shqiptarët) mbajnë fshehurazi për propagandë libra shqipe; një përkuzicion i tillë u-bë edhe tani shpejtë, edhe gjithë atyre shqiptarëve që u-kanë gjetur libra shqipe (të vjetra), u-kanë dhënë nga një gjobë të paktën prej 600 dinarë, edhe librat ja u-kanë djegur…”.

Po kështu ishte situata edhe në vendbanimet shqiptare të Strugës dhe të Ohrit, sidomos ato që shtriheshin në afërsi të kufirit shqiptar, të cilët siç vinte në dukje diplomati shqiptar, Xh. Frashëri, i ishin nënshtruar një shtypje të tmerrshme të xhandarmërisë serbe, e cila nën pretekstin se shqiptarët e atyre fshatrave po e “lehtësojnë veprimin e komitaxhinjve bullgarë”, i bastisë shtëpitë e tyre në çdo orë të ditës e të natës “duke rrahur, duke sharë burrat, duke çnderuar gratë”. Ngjashëm sikurse xhandarmëria serbe, vepronte edhe roja kufitare civile, e cila përbëhej tërësisht nga kolonët malazias, të cilët ishin vendosur nëpër shtëpitë dhe pronat e shqiptarëve, të cilat qenë konfiskuar nga ana e Qeverisë jugosllave, pa asnjë dëm-shpërblimi. Lidhur me këtë, Xh. Frashëri shkruante: “merret vesht se me ç’brytalitet veprojnë këta kundrejtë shqiptarëvet, për t’i detyruar të largohen një orë e më parë nga shtëpitë e pasunitë e tyre, aq më tepër kur, në vend që t’ushtrohej një kontroll mbi veprimet e këtyre malazesve, këta gjejnë kurdoherë aprovimin  e autoritetevet për ç’do veprim atrociteti të tyre të bërë kundër shqiptarëvet…”.

Në rrethana të tilla, Qeveria Mbretërore shqiptare ndërmori një sërë masash të cilat për qëllim patën ndalimin e shpërnguljes së shqiptarëve nga vatrat e tyre për në Turqi. Në një dokument të hartuar nga Rauf Fico, thuhej se çështja e Kosovës duhej studjuar nga tri pikëpamje të veçanta, edhe atë:

“1) Nga pikëpamja shqiptare. Interesi kombëtar i jon e lyp që kosovarët mos të tunden nga vendi, fundi i fundit edhe në qoftë se shtrëngohen me ik s’andejmi, duhet të tërhiqen e të vënë në Shqipni.

2) Nga pikëpamja serbe. Serbët, tue marrë parasysh se në Kosovë ndodhen në pakicë dhe tue qenë të bindur se ndjenjat kombëtare të kosovarëvet mund të pengojnë zhvillimin e serbizimit n’ato vise, me çdo mënyrë, duan të çdukin elementin shqiptar nga Kosova. Për me i- a mbrrit këtij qëllimi kanë përdorur ç’do mjet; vrasje, grabitje, djegie, Reforma agrare etj….

3) Nga pikëpamja turke. Turqia ka shumë toka të zbrazëta, si në vilajetin e Edrenes ashtu edhe në viset e tjera. Ka nevojë për të mbushur vendin. Me këtë qëllim bënë propagandë të mëdha….Shqiptarët e Kosovës, si një element i fortë dhe punëtor, tërheqin posaçërisht interesimin e Qeveris Turke. Në këtë pikë interesat kombëtare të Jugosllavisë bashkohen plotësisht me qëllimet e Turqisë”.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm shqiptar, Xhafer Vila, më 27 prill 1935, i shkruante Rauf Ficos, se të gjitha përpjekjet e bëra nga udhëheqja shqiptare për ta parandaluar dëbimin e shqiptarëve nga Kosova për në Turqi, nuk kishin pasur asnjë efekt, sepse, siç vë në dukje ai,  masat që autoritetet lokale të Jugosllavisë i kishin marrë kundrejt elementit shqiptar, “i u a ka bërë këtyre të pa mundshme rojtjen në Kosovë…. Natyrisht, shprehet më tej ministri  Vila, po të rijmë indiferent përpara këtij problemi që ka një rëndësi po thuaj jetike për Shqipërinë, sepse është puna për jetën e 600 ose 700.000 Shqitarëve, – po thuaj një Shqipëri e dytë -, nuk duhet të habitemi se pas disa vjetëve kosovarët do të kenë kapur fushat e Azis, dhe Kosova do të mbetet nëpërmendjet si një shprehje gjeografike pa ndonjë Shqiptar…”. Shkresës së sipërme, ministri Vila ia bashkangjet edhe një Përmendore të hartuar nga ajo ministri, e cila parshihte masa konkrete për ndëprerjen e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, të cilat përfshinin gjithsej 11 pika:

“1. Në dispozicionin e Kryekonsullatës së Shkupit hapet një kredi prej fr. ari prej 20.000- shumë e cila mund të shtohet më vonë.

  1. Në ç’do krahina të Kosovës, sidomos në krahinat Shkup e qarku i Shkupit, Gjilan, Ferizoviq, Kaçanik, Pejë, Prizrend, Prishtinë, Jakovë, Vuçitërn dhe Mitrovicë, – Kryekonsullata Mbretnore në Shkup, me një pagesë mujore aproksamitivisht tre napolona në muaj, do të angazhoj nga një person për ç’do krahinë me qëllim që të bëhet propaganda për të ndaluar emigrimin e Kosovarve për në Turqi.

Në rast se nga këto krahina ndodhen persona që domosdo dëshirojnë t’i lënë vatrat e tyre në Jugosllavi, Kryekonsullata Mbretnore do t’i u lehtësojë emigrimin për Shqipëri.

  1. Kryekonsullata Mbretnore në Shkup do të jetë përherë në kontakt me Konsullatat Mbretnore në Manastir, Selanik dhe Istambull për rregullimin e çështjes s’emigrimit të Kosovarëve.
  2. Konsullatës Mbretnore në Selanik i vihet në dispozicion një shumë prej fr. ari 20.000 – për të siguruar dërgimin menjëherë të Kosovarvet nga Selaniku në Shqipëri.
  3. Abidinit, kavazit të Konsullatës Mbretërore në Selanik, do t’i lidhet përveç rrogës që merr si kavaz, edhe një rrogë tjetër mujore prej 5 napolona. Detyra e tij do të jetë që të vihet në kontakt me agjentët e Turqis në Selanik, duke i blerë këta, në mënyrë që, duhet hequr dorë nga dërgimi në Turqi, t’i këshillojnë kosovarët që të vijnë në Shqipëri.
  4. Gjithashtu, një masë analloge duhet marrë edhe kundrejt agjentëve turq që ndodhen në Shkup. Këta agjentë do të blehen me qëllim që të heqin dorë nga propaganda për emigrimin e kosovarëve për Turqi, dhe duke i këshilluar kosovarët që duan të largohen nga Jugosllavia për të emigruar në Shqipëri.
  5. Kryekonsullatës Mbretërore në Istambull i vihet në dispozicion një shumë prej fr. ari 20.000 – për t’a përdorur për propagandë me qëllim që kosovarët e instaluar në Turqi ose që shkojnë për Turqi, të vinë në Shqipëri. Nga Istambulli do të bëhet propaganda për kosovarët e Kosovës duke u dërguar këtyre letra, ku të rëfehen mizorit, gjendja e tmershme dhe pendimi i Kosovarëve që kanë vajtur në Turqi. Në Istambull, të quajturit Shaban Vuçiterni t’i pagohet nji rrogë mujore prej 5 napolonash. Detyra e këtij do të jetë që të bindi kosovarët që janë instaluar në Turqi ose që shkojnë në Turqi, që të kthehen në Shqipëri.
  6. Një personi që ka një influencë të madhe mbi popullsinë kosovare, me anën e Kryekonsullatës Mbretërore në Shkup do t’i dërgohen fr. ari 4.000.
  7. Të gjitha fondet që po vihen në dispozicion të Përfaqësive Mbretnore në Shkup, Selanik e Instambull, në lidhje me emigrimin e Kosovarëve në Shqipëri, do të likuidohen drejt për drejt midis këtyre përfaqsive dhe Drejtorisë se Punë të Reformës Agrare.
  8. Duke qenë se kjo propagandë do të ketë efekt ardhjen sa ma shpejt të disa kosovarëve në Shqipëri, shifet e domosdoshme që Drejtorija e Reformës Agrare qysh tashi të marë masat e shpejta për të blerë dhe me sigurue tokat e nevojshme për të paktën 250 familje.
  9. Jusuf Nushi, i cili deri 9 muaj më parë i ka shërbyer Kryekonsullatës Mbretnore në Shkup me ç’do mënyrë dhe sakrificë të madhe, është rekomanduar kohët e fundit të kthehet në Shqipëri, mbassi jeta e tij ishte në rrezik. I lartpërmenduri qysh prej 9 mujve ndodhet në Tiranë në një mizeri të jashtëzakonshme, sepse nuk i është dhënë asnjë përkrahje dhe ndihmë. Kryekonsulli Mbretëror në Shkup duke shfaqur hidhërimin e tij për këtë indiferencë, lutet që t’i bëhet Jusuf Nushit një përkrahje urgjente, më shumë me qëllim t’evitohet përshtypja e keqe që do të bënte në Kosovë lënja e këtij njeriu në Shqipëri pa ndonjë ndihmë”.

Në frymën e këtij dokumenti, me nismën e kryekonsullit shqiptar, Seremet Xhaxhuli, në Shkup formohet një komision i posaçëm, në përbërje: Beqir Emin Prishtina, Qemal Osman Kumbaraxhiu, Emin Jashar Kumbaraxhiu dhe Seit Hoxha. Qëllimi kryesor i krijimit të këtij komisioni ishte, që të negocioj me partitë politike jugosllave, lidhur me kërkesat e popullsisë shqiptare (myslimane) në Kosovë. Në një takim që Komisioni e mbajti në fillim të muajit shtator 1935 me Banin e Shkupit, Ranko Trifuniviç, i shtroi kërkesat e popullsisë shqiptare të Kosovës, të cilat përfshiheshin në tri pika:

  1. Kthimi i menjëhershëm i  tokave që u ishin zaptuar katundarëve shqiptarë nga ana e Reformës Agrare;

2.- Pronarëve të mëdhenj shqiptarë, që u është marrë toka nga Reforma Agrare, t’u paguhet me çmimin që është bërë pagesa në Vojvodinë, pra 6-7000 dinarë për hektar e jo nga 300 dinarë siç është bërë në Kosovë.

  1. Në zgjedhjet parlamentare e bashkiake t’iu sigurohen të drejtat e popullsisë shqiptare të Kosovës, sipas numrit të banorëve.

(vijon nesër)

Related Articles

Back to top button
Close
Close