
Bajram Rexhepi po intensifikon aktivitetet në terren për ringritjen dhe konsolidimin e degës së Bashkimi Demokratik për Integrim në Tetovë, duke rikthyer energjinë dhe mobilizimin brenda strukturave partiake.
Burime nga dega bëjnë të ditur se gjatë javëve të fundit janë zhvilluar takime të shumta me qytetarë, aktivistë dhe figura të njohura të partisë, me fokus forcimin e organizimit lokal dhe afrimin e kuadrove të reja. Sipas tyre, interesimi për t’iu bashkuar aktiviteteve të BDI-së në Tetovë është rritur dukshëm.
Në çdo takim, Rexhepi ka theksuar nevojën për unitet dhe angazhim më të madh politik, duke potencuar se Tetova mbetet një nga shtyllat kryesore të organizimit të BDI-së. Ai ka kërkuar rikthimin e besimit të qytetarëve përmes komunikimit të drejtpërdrejtë dhe prezencës aktive në çdo lagje dhe vendbanim.
Mbështetës të partisë vlerësojnë se dinamika e re ka sjellë frymë pozitive dhe motivim te strukturat lokale, ndërsa disa analistë politikë e shohin këtë si një përpjekje serioze për rikthimin e fuqishëm të BDI-së në skenën politike të Tetovës.
Aktivitetet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me organizime në terren, takime me të rinjtë dhe forume qytetare, ku fokusi kryesor do të jetë programi politik dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në vend.
Nga dega e BDI-së në Tetovë thonë se qëllimi është krijimi i një organizimi më funksional dhe më afër qytetarëve, ndërsa paralajmërojnë se periudha e ardhshme do të sjellë edhe iniciativa të reja politike dhe organizative.



