
Një episod i rëndë ka tronditur futbollin në Panama, pas përfundimit dramatik të sfidës mes Alianza FC dhe Sporting San Miguelito, e vlefshme për Liga Panameña de Fútbol. Ndeshja u mbyll me rezultatin 3-2, por ajo që mori vëmendjen ishte autogoli në minutën e 90-të nga portieri José Calderón.
Pas këtij episodi, shoku i tij i skuadrës, Gustavo Herrera, reagoi ashpër duke e akuzuar publikisht portierin për manipulim të ndeshjes. Herrera u largua nga fusha para kohe, i revoltuar, dhe në rrjetet sociale përdori tone shumë të forta: ai e cilësoi Calderón si “trukues ndeshjesh”, duke shtuar se fenomene të tilla po dëmtojnë rëndë imazhin e futbollit.
“Dashuria për futbollin duhet të vijë nga zemra, por shumë vetëve u ka humbur. Ka lojtarë që japin gjithçka për ëndrrat e tyre, ndërsa të tjerë po e njollosin këtë sport”, shkroi Herrera, duke kërkuar që ata që përfshihen në veprime të tilla të largohen nga futbolli.
Nga ana tjetër, Liga reagoi menjëherë. Liga Panameña de Fútbol konfirmoi se ka hapur një hetim zyrtar për rastin, duke theksuar se integriteti i garës është prioritet absolut dhe se çështja do të shqyrtohet deri në fund.
Ndërkohë, Calderón mohoi kategorikisht akuzat. Portieri, i cili ka qenë 44 herë pjesë e përfaqësueses së Panamasë, e pranoi gabimin, por e cilësoi atë si një episod të pafat sportiv. Ai kërkoi falje publike ndaj ekipit dhe tifozëve, duke paralajmëruar gjithashtu se do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj kujtdo që cenon reputacionin e tij me akuza të pabazuara.
Ngjarja ka hapur një debat të fortë mbi ndershmërinë në futboll, ndërsa priten rezultatet e hetimit për të sqaruar plotësisht këtë episod të diskutueshëm.



