
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) e thekson nevojën që zgjedhja e pozitave udhëheqëse, drejtorit dhe zëvendësdrejtorit, në Radio Televizionin e Maqedonisë (RTVM) të zhvillohet përmes një procesi transparent, inkluziv dhe kredibil, me fokus të qartë te cilësia e kandidatëve dhe mbrojtja e interesit publik. “Duke pasur parasysh se afati për këtë procedurë ka skaduar më 15 prill, vlerësojmë se është me rëndësi të veçantë që i gjithë rrjedhim i mëtejmë i procedurës të udhëhiqet në mënyrë transparente dhe në përputhje të plotë me dispozitat ligjore, me respektim të vazhdueshëm të procedurave institucionale dhe parimeve të sigurisë juridike. SHGM apelon që zgjedhja të udhëhiqet mbi bazën e integritetit profesional, përvojës relevante të kandidatëve, vizionit të qartë dhe kapacitetit real për avancimin e punës së servisit publik radiodifuziv”, thuhet në njoftimin e SHGM-së.
Njëkohësisht, vijon më tej njoftimi, është e domosdoshme që Ligji për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuele të respektohet plotësisht dhe në mënyrë konsekuente në të gjitha aspektet e procedurës, pa qasje selektive dhe pa devijime, me qëllim që të sigurohen legjitimiteti, siguria juridike dhe besimi në procedurë.
“Një proces zgjedhor cilësor dhe i zhvilluar me kujdes është parakusht thelbësor për përballimin e sfidave me të cilat përballet servisit publik radiodifuziv në shërbim të interesit publik. Vetëm në atë mënyrë mund të kontribuohet në forcimin e standardeve profesionale, pavarësisë dhe kapacitetit të përgjithshëm të RTM-së për të punuar në interes të qytetarëve. Prandaj, presim që udhëheqësia e re, me një qasje të përgjegjshme dhe strategjike, të kontribuojë në avancimin e servisit publik, përmes prioriteteve të qarta zhvillimore, menaxhimit profesional, forcimit të përkushtuar të rrjetit të korrespondentëve dhe përcaktimit të qartë për të punuar në interes publik. SHGM mbetet partner konstruktiv në ndjekjen e këtij procesi dhe në mbështetjen e të gjitha përpjekjeve që çojnë drejt një servisi publik radiodifuziv të fortë, të pavarur dhe profesional”.



