LajmeMaqedoniTopLajm

Punëtorët në krizë, shteti nën kritika të forta

Sipas Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave, Maqedonia po bën hapa prapa në të drejtat sindikale, prandaj nevojiten paga më të larta dhe dialog i vërtetë social. Ka pasur kritika për fushata negative kundër udhëheqësve të sindikatave

Albina REKA

Shkup, 18 mars– Pas një vale protestash nga sindikatat që kërkojnë rritjen e pagës minimale në Maqedoni, SSM ka marrë mbështetje nga Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave. Sekretari i përgjithshëm i saj, Luke Triangle, së bashku me Anton Lepik nga Këshilli Rajonal Pan-Evropian, vlerësuan se kërkesat e punëtorëve janë të drejta dhe se shteti duhet të sigurojë paga që garantojnë një jetë dinjitoze. “Është koha të ndalojmë së foluri vetëm për pagën minimale, por për një pagë që mundëson një jetë dinjitoze”, deklaroi Triangle pas takimit me udhëheqjen e SSM-së.

Ai kritikoi ashpër gjendjen sociale në vend, duke e quajtur të papranueshme faktin që një pjesë e madhe e punëtorëve jetojnë nën kufirin e varfërisë. “Është e papranueshme që një punëtor me kohë të plotë nuk mund t’i paguajë faturat e tij për shkak të një page të ulët. Qeveria dhe shoqëria duhet të veprojnë”, u shpreh Triangle.

Sipas Triangle, analizat e ITUC tregojnë për shkelje të vazhdueshme të të drejtave të punëtorëve dhe sindikatave në Maqedoni. Ai theksoi se vendi ka rënë nga niveli 2 në nivelin 4 në indeksin global, çka nënkupton shkelje sistematike. Kjo situatë, sipas tij, është “jashtëzakonisht shqetësuese dhe e papërshtatshme për një vend evropian”.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë theksuan gjithashtu shkelje të Konventës 87 (liria e shoqërimit) dhe Konventës 98 (e drejta për negociata kolektive), duke përmendur raste të ndërhyrjes së qeverisë në marrëveshje kolektive në sektorin privat, që kanë çuar në tërheqjen e punëdhënësve në dëm të punëtorëve.

Triangle ngriti shqetësime edhe për fushatat negative dhe sulmet ndaj udhëheqësve sindikalë, duke theksuar se është e papranueshme përfshirja e familjeve të tyre në këto sulme. “Ne duhet t’i ndalojmë sulmet ndaj sindikatave dhe liderëve të tyre. Nuk mund të kemi një situatë ku ata përballen me frikësim”, u shpreh ai. “Ne nuk jemi vetëm”

Kreu i SSM-së, Slobodan Trendafilov, deklaroi se mbështetja ndërkombëtare tregon se sindikatat nuk janë të vetme në këtë betejë. “Ne nuk po luftojmë vetëm”, tha ai, duke shtuar se në vend të rritjes së pagave, qeveria po ushtron presion ndaj udhëheqjes sindikale. “Ne mbetemi të vendosur: pagat duhet të rriten. Hapi i parë është rritja e pagës minimale, e cila do të ndikojë edhe në rritjen e pagave të tjera”, tha Trendafilov.

Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave, si organizata më e madhe sindikale globale, kishte realizuar një mision në terren në Maqedoni në vitin 2023 dhe kishte dhënë 10 rekomandime për përmirësimin e situatës. Sipas tyre, vetëm gjysma e tyre janë zbatuar, gjë që konsiderohet e pamjaftueshme. Këto reagime vijnë pas protestave dhe bllokadave të fundit, ku SSM kërkoi rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe rritje të përgjithshme të pagave.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE në pushtet e cilësoi protestën e 14 marsit si një “fiasko”, duke akuzuar SSM-në për manipulim politik. “Në vend që të mbrojë të drejtat e punëtorëve, SSM është shndërruar në një zgjatim të LSDM-së. Qytetarët e kanë kuptuar se bëhet fjalë për luftë për pozita dhe interesa personale”, deklaroi partia. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close