
Prishtina ka njoftuar se trajneri i ekipit të parë, Afrim Tovërlani, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetrajnerit pas ndeshjes me Ferizajin, duke marrë përgjegjësinë për rezultatet e skuadrës.
Prishtina është mposhtur të martën me rezultat 3-0.
“Prishtina njofton se trajneri Afrim Tovërlani ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetrajnerit të ekipit të parë, pas ndeshjes ndaj KF Ferizaj, duke marrë përgjegjësinë për rezultatet e skuadrës. Tovërlani mori drejtimin e ekipit më 25 nëntor dhe e udhëhoqi skuadrën në 15 ndeshje në të gjitha garat, me bilanc prej 4 fitoresh, 3 barazimesh dhe 8 humbjesh. Klubi e falënderon për angazhimin, profesionalizmin dhe kontributin e dhënë gjatë kësaj periudhe, duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës së tij”, ka shkruar klubi kryeqytetas. “FC Prishtina do të njoftojë në ditët në vijim për zhvillimet e radhës”.
Aktualisht në tabelën e Superligës së Kosovës të kryesuar nga Ballkani me dyzet e dy pikë, Prishtina gjendet në vendin e tretë me tridhjetë e tetë pikë.



