
Arlinda Imeri Shllaku, anëtare e Kryesisë së Aleancës për Shqiptarët, ka bërë publik rastin e saj të degradimit në vendin e punës në SHA “Posta e Maqedonisë”, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe pa arsyetim ligjor.
Shllaku bën të ditur se ka kërkuar takim me drejtorin e ndërmarrjes për të marrë sqarime, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje. Po ashtu, ajo ka tentuar të kontaktojë edhe kryetarin e Alternativës, Bekim Sali, nga radhët e së cilës vjen drejtori, por sipas saj ka hasur në heshtje.
Në reagimin publik, ajo u bën thirrje për reflektim funksionarëve të koalicionit VLEN, veçanërisht grave në pozita vendimmarrëse, duke kërkuar që të ndërhyjnë për të parandaluar atë që e quan padrejtësi.
“Unë nuk kërkoj privilegj, kërkoj drejtësi”, thekson Shllaku, duke shtuar se çështjen do ta ndjekë përmes rrugëve ligjore deri në fund për të mbrojtur dinjitetin e saj profesional dhe njerëzor.
Ajo shpreh shpresën që rasti i saj të trajtohet me përgjegjësi dhe në përputhje me ligjin.



