
Në kuadër të angazhimit për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, dy përfaqësues (Ergil Iseni dhe Amir Fazlija) të Njësitit Territorial Kundër Zjarrit – Gostivar, mоrën pjesë në një trajnim profesional në Oberhausen të Gjermanisë, të organizuar nga Brigadën e Zjarrfikësve të këtij qyteti.
Ky trajnim, i realizuar gjatë periudhës 15–21 shkurt 2026, ka për qëllim shkëmbimin e përvojave profesionale, njohjen me sistemin gjerman të menaxhimit të emergjencave dhe përvetësimin e praktikave moderne në fushën e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi.
Gjatë qëndrimit, përfaqësuesit nga Gostivari u njohën me organizimin e shërbimit zjarrfikës në Gjermani, sistemet e komandimit dhe koordinimit në raste emergjente, përdorimin e pajisjeve të avancuara për mbrojtje respiratore, operacionet e zhytjes dhe teknologjitë e reja siç janë dronët nënujorë, si dhe procedurat e sigurisë parandaluese në objekte me frekuentim të lartë.
Ky trajnim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të mëtejshëm të shërbimit zjarrfikës në Gostivar dhe harmonizimit të praktikave me standardet evropiane. Përmes këtij bashkëpunimi, synohet rritja e efikasitetit operacional dhe forcimi i sigurisë për qytetarët.
Komuna e Gostivarit, përmes Sektorit për Investime dhe Zhvillim, ka filluar bashkëpunimin me Oberhausen disa vite më parë, fillimisht në fushën e arsimit dhe të rinjve. Me realizimin e këtij trajnimi, bashkëpunimi ndërmjet dy qyteteve thellohet dhe zgjerohet edhe në fusha të tjera me rëndësi të veçantë, përfshirë sigurinë publike dhe mbrojtjen nga zjarri.
Komuna e Gostivarit falënderon dhe shpreh mirënjohje të veçantë ndaj bashkëpunëtorëve tanë në Komunën Oberhausen si dhe ndaj pjesëtarëve të zjarrfikësve në Oberhausen për profesionalizmin, gatishmërinë dhe përkushtimin e treguar në ndarjen e përvojës dhe ekspertizës së tyre.
Jemi të bindur se ky partneritet do të vazhdojë të zhvillohet edhe në të ardhmen, në shërbim të misionit tonë të përbashkët – mbrojtjen e jetës, pronës dhe sigurisë së qytetarëve.



