LajmeMaqedoniTopLajm

“Vdekje për shqiptarët” – 6 muaj pas thirrjeve raciste, s’ka epilog për tifo-grupin “Kumani”

Thirrjet raciste antishqiptare në ndeshjen e së shtunës mes Vardarit dhe Bashkimit, janë dejavu e shumë rasteve të ngjashme në tribunat sportive të vendit, të cilat shpesh nuk janë ndëshkuar.

Ndër to, është rasti i para gjashtë muajve, kur  në sallën e sportit në Kumanovë, gjatë ndeshjes së basketbollit mes reprezentacionit të Maqedonisë dhe Rumanisë.

Tifo grupi “Kumani” në kor bërtiste “vdekje shqiptarëve” edhe atë, në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministrit për komunitetet, ministrit të Brendshëm, por edhe kryetarit të Kumanovës dhe të tjerëve.

Gjashtë muaj më vonë, Ministria e Punëve të Brendshme nuk jep të dhëna të qarta për rrethanat e ngjarjes. Nuk tregon as sa persona janë proceduar dhe as për çfarë vepre penale.

“Lidhur me ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, ju njoftojmë se nga ana e SPB Kumanovë deri ne PTHP Kumanovë është dorëzuar kallëzim përkatës”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Policia paraprakisht kishte thirru në bisedë informative dy anëtarë të grupit “Kumani”, megjithatë nuk dihet nëse ka dorëzuar kallëzim për të njëjtit. Ndërkohë për të njëjtin rast, MPB pati informuar se ka arrestuar një person me inicialet S.A. i cili nuk lidhej me thirrjet raciste, por dyshohej se gjatë pushimit të ndeshjes është përpjekur të fusë një banderolë me përmbajtje fyese. Edhe ky rast, nuk dihet se çfarë epilogu ka marrë.

Nga ana tjetër, shteti është treguar mjaftë efikas ndaj një ngjarje tjetër e cila kishte ndodhur 3 ditë para ndeshjes së futbollit. Një qytetar nga diaspora ishte kapur në Shkup duke valëvitur flamurin kuq e zi me hartën e “Shqipërisë së Madhe” dhe mbishkrimin “Autochthonous”. Autoritetet me urgjencë e depërtuan nga shteti, pasi e dënuan me 2 vjet burg me kusht dhe ndalesë për hyrje në afat prej 5 vitesh për nxitje të urrejtjes ndëretnike.

Ndonëse rastet e gjuhës së urrejtjes në ndeshjet sportive janë të shpeshta, numri i të dënuarve është mjaft i ulët. Kjo është edhe vërejtja më e shpeshtë e sektorit civil./ Alsat.mk

Related Articles

Back to top button
Close
Close