
Avokati i Veselit: Pati dëshmitarë që kanë gënjyer nën betim
Avokati i Veselit vazhdon pretendimet kundër Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).
“Dëshmitarët e thirrur nga ZPS-ja janë thirrur për pohimin e vërtetësisë të qëndrimit të saj. Por, në të njëjtën kohë ne kemi parë që ZPS-ja ka sulmuar dëshmitarë dhe kemi pasur persona të vërtetë prej të cilëve ZPS-ja nuk ka marrë përgjigje, derisa gënjeshtarëve u ka dhënë mundësi për t’i dhënë përgjigjet e tyre. Kështu që, si është e mundur që gjykata të mbështetet në pjesë të caktuara të dëshmitarëve për të dhënë vendim fajësie përtej dyshimit të arsyeshëm, ndërkohë që për të tjerët thuhet se nuk mund të besohen për asnjë aspekt? Ka pasur persona që kanë gënjyer nën betim, duke mos e thënë të vërtetën”, ka deklaruar Dixon.
Avokati i Veselit: Mund ta imagjinoni si ndjehet klienti im në burg, plot ankth
Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon ka deklaruar se Prokuroria në Hagë po bën akrobaci në rastet kur s’ka prova kundër klientit të tij.
Sipas tij kjo është shqetësuese pasi është në kundrështim me gjykatat në të kaluarën dhe tani.
“Prokuroria bën akrobaci në rastet e saj kur nuk ka prova kundër klientit tim dhe është pikërisht kjo që në fakt të shqetëson tej mase, dhe kjo është në kundërshtim me traditat me gjykatat. Mund ta imagjinoni si ndjehet klienti im në burg, plot ankth në një çështje që mund të përceptohet si e vërtetë vetëm pse argumenti është vendosur këtu”, deklaroi Dixon.
Mbrojtja e Veselit: Kur s’ka prova, s’mund të ketë shpallje fajësie
Mbrojtja e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli ka vazhduar kritikat ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar edhe të enjten, duke theksuar se nuk ka fakte se Veseli ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Shtabin e Përgjithshëm sa ishte jashtë shtetit.
Avokati i tij, Rodney Dixon, ka ritheksuar se ZPS-ja nuk ka fakte për akuzat që ka ngritur kundër Veselit, derisa ka shtuar se viktimave u duhet drejtësia, por drejtësi “e bazuar në të vërtetën dhe në realitetin”.
“Me synimin që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë është e nevojshme të mos sakrifikohet e vërteta, duhet të mbrohen të pafajshmit dhe gjykatat tona duhet të jenë gjykata me integritet, pavarësisht nëse u duhet mbi 5 vjet apo më gjatë për të arritur deri te përcaktimi i së vërtetës, siç ndodh këtu”, ka thënë Dixon në ditën e dytë të deklaratave përmbyllëse.
Sot nisi dita e katërt e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.
Kadri Veselin e përfaqëson avokati Rodney Dixon.
Ai i ka nisur deklaratat e para përmbyllëse dje dhe i vazhdon sot deri në orën 13:00.



