Për drejtorin e përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Evropës, Gianluca Esposito, numri i lartë i paraburgimeve në Shqipëri dhe kohëzgjatja e tyre përbëjnë një sfidë serioze, e cila duhet të adresohet. Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ai tha se këto probleme janë evidentuar edhe nga vendime të Gjykatës së Strasburgut dhe kanë çuar në mbipopullim të burgjeve.
“Shkalla e paraburgimit në Shqipëri prej 94,6 personash për 100 mijë banorë është gati katër ose pesë herë më e lartë se mesatarja e BE-së. Hapi i parë për të përmirësuar kushtet është ulja e mbipopullimit. Megjithatë, kjo nuk bëhet vetëm duke ndërtuar më shumë burgje, por duke kufizuar në mënyrë aktive përdorimin dhe kohëzgjatjen e paraburgimit dhe duke i dhënë përparësi alternativave ndaj paraburgimit, duke përfshirë zbatimin e regjimit jondëshkues të paraburgimit në përputhje me prezumimin e pafajësisë”.
Esposito shton se paraburgimi duhet të jetë masa e fundit dhe se drejtësia duhet t’u heqë lirinë individëve vetëm në raste të domosdoshme, duke pasur parasysh se ata supozohen të pafajshëm deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Gianluca Esposito, drejtor për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në KE:
“Masat për të zvogëluar përdorimin e tepërt të paraburgimit duhet të adresohen në mënyrë sistematike. Ndryshimet legjislative duhet të mbështesin këto objektiva, por faktorët kryesorë janë praktika gjyqësore dhe kultura ligjore”.
Esposito tha se roli i Këshillit të Evropës është të ndihmojë në sigurimin që paraburgimi të kryhet në përputhje me të drejtat themelore dhe dinjitetin njerëzor, duke shtuar se Shqipëria mund të marrë shembull nga praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.



