
Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi përmes një postimi në profilin e tij ka reaguar ndaj Alternativës duke theksuar se zëri i tyre ngrihet vetëm atëherë kur ata nuk rezikojnë asgjë. Ademi më tej shton se nëse vërtet duan të jenë korrektë, le ta përkrahin publikisht Bekim Salin në konstatimin e tij të qartë se Ministri i Drejtësisë nuk e respekton Kushtetutën, duke e detyruar atë që ta respektoj atë. Kaq është thelbi, gjithçka tjetër janë justifikime, përcjellë Top24
Kur s’ke guxim t’i thuash asnjë fjalë ministrit tënd, është më lehtë të bësh filozofi me “e morëm vesh / s’e morëm vesh”.
Përfaqësuesit e Alternativës janë të zëshëm vetëm kur nuk rrezikojnë asgjë. Kur përballë kanë Ministrin e Drejtësisë dhe një shkelje të qartë të Kushtetutës, papritur u humbet gjuha, ulet zëri dhe zhduket parimi.
Nëse vërtet duan të jenë korrektë, le ta përkrahin publikisht Bekim Salin në konstatimin e tij të qartë se Ministri i Drejtësisë nuk e respekton Kushtetutën, duke e detyruar atë që ta respektoj atë. Kaq është thelbi, gjithçka tjetër janë justifikime.
Nëse duan edhe më shumë precizitet ligjor e jo retorikë boshe, Alternativa është e ftuar ta votojë propozimin e BDI-së. Aty nuk ka mjegull, as dilema gjuhësore, por zgjidhje konkrete.
Dhe shpresojmë që kësaj here Afrim Gashi ta fusë në procedurë, e jo të përfundojë si ligji i Qeverisë së kaluar që rregullonte këtë çështje, që u hoq nga rendi i ditës pa asnjë shpjegim.
Ironitë janë të lira.
Kuraja politike, jo për këdo.



