LajmeRajon

Milatoviç reflekton, pranon miratimin e 25 ligjeve

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ka ndryshuar mendje dhe ka vendosur të dekretojë 25 ligjet e miratuara në parlament, të cilat fillimisht kishte planifikuar t’ua kthente deputetëve për rishqyrtim.

“Përbërja aktuale e Parlamentit është e tillë që ligjet, për fat të keq, do të miratohen pa lexim dhe debat përmbajtësor. Kjo është arsyeja pse i shpalla ligjet e miratuara, sepse nëse do t’u ktheheshin deputetëve, me pritjen se do të lexoheshin dhe do të shqyrtoheshin seriozisht, nuk do të kishin efekt”.

Më 2 shkurt, në dy seanca të jashtëzakonshme, deputetët malazezë i miratuan pa debate këto 25 ligje, të cilat konsideroheshin të nevojshme për të përmbushur kriteret në negociatat e pranimit të vendit me Bashkimin Evropian.

Një ditë më vonë, Milatoviç njoftoi se këto ligje do t’u ktheheshin deputetëve, pasi sipas tij reformat evropiane nuk nënkuptojnë thjesht ngritjen e duarve në Kuvend ose miratimin e ligjeve pa debat dhe diskutime.

Duke komentuar njoftimin e Milatoviçit, Maida Gorçeviç, Ministrja e Çështjeve Evropiane, vuri në dukje se presidenti po “merrte rolin e frenuesit kryesor në rrugën evropiane”.

Në orët e fundit, Brukseli ka ushtruar presion mbi presidentin malazez, pasi një vendim i tillë “mund të ngadalësojë mbylljen e disa kapitujve negociues në muajt mars e prill.” Milatoviç iu kundërpërgjigj ministres, duke deklaruar se “rruga drejt BE-së pengohet nga mungesa e përparimit në reformën zgjedhore dhe nga personat e lidhur me krimin që mbajnë poste të larta shtetërore.”

Në muajt e fundit, presidenti Milatoviç është përfshirë në debate publike me qeverinë e Miljoko Spajiç, së fundmi edhe në kundërshtimin e iniciativës për rritjen me 30 përqind të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve pa u bërë bilanci individual i punës së tyre.

Related Articles

Back to top button
Close
Close