
Kakofonia në rritjen e pagave në sektorin publik, para së gjithash për të punësuarit në administratë dhe në organet e drejtësisë, do të rregullohet nëse pranohet formula e Qeverisë, sipas së cilës në tre vitet e ardhshme paga e rreth 7.700 punëtorëve do të rritej për 40 për qind. Ky është qëndrimi i kryeministrit Hristijan Mickoski para takimit të nesërm mes përfaqësuesve të Qeverisë dhe Sindikatës AOGJSH (Sindikatë e Punëtorëve të Administratës, Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve të RMV-së).
Mickoski thotë se qëndrimi i Qeverisë është që të ngrihet një pjesë e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, e cila ka skaduar, por zbatohet derisa të arrihet një marrëveshje e re.
“Meqë ekzistojnë disa dokumente që e përcaktojnë pagën dhe që mund të interpretohen në këtë apo atë mënyrë, ne duam të kemi një model të unifikuar sipas të cilit do të paguhet paga e të punësuarve në administratë dhe themi që pjesën, nenin e pagës, përkatësisht tre nene ku përcaktohet paga në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive e cila ka skaduar, ta suspendojmë dhe në periudhën derisa të vlejë kjo marrëveshje që tani do ta arrijmë, të negociojmë një Marrëveshje të re të Përgjithshme Kolektive”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Kryeministri Mickoski thotë se beson që për tre vjet do të merren vesh për një Marrëveshje të re të Përgjithshme Kolektive, ndërsa deri atëherë të vlejë formula e Qeverisë. Kryeministri shfrytëzoi rastin që sërish kërkesën sindikale ta atribuojë lojërave politike dhe se një pjesë e udhëheqjes së Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë është në përqafim politik me LSDM-në.
“Ne kemi një formulë që nga dita e parë e propozojmë. Por insistojmë që, kur ta dakordësojmë atë formulë, ajo të jetë formulë përfundimtare sipas së cilës do të paguhet paga e të punësuarve në administratë. Nga ana tjetër, një pjesë e udhëheqjes së Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë thirret në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, të cilën kjo udhëheqje e ka nënshkruar me qeverinë e mëparshme”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Nga AOGJSH thonë se sot po e përgatisin qëndrimin e tyre për takimin e nesërm me qeverinë. Nga atje thonë se nesër do të shohin nëse propozimi do të vlejë për 7.700 të punësuar apo për një numër më të madh. Nga sindikata thonë se ata kanë kërkesën e tyre dhe se duan të bisedojnë për të, e ajo është shtesat në pagë në lartësi prej 30%.
“Mendoj se është shumë e qartë, kjo është kërkesa jonë, kërkesa e sindikatës AOGJSH nga viti 2025, po në këtë kohë kur protestuam, presim vetëm kryeministrin të shohim nëse do ta pranojë kërkesën tonë”, pohoi Trpe Deanovski, Kryetar i AOGJSH .
Formula e qeverisë, ndërkaq, parashikon që në tre vitet e ardhshme në pagën e punëtorit të shtohen nga 1.500 denarë dhe çdo vit ky total të rritet për tetë për qind, kështu që nëse tani paga është 35.000 denarë, për tre vjet do të ishte rreth 50 mijë, ose 40 për qind më e lartë se tani



