
Vetëm rreth 10 për qind e grave në Maqedoninë e Veriut janë përfshirë në skriningun për kancer të qafës së mitrës gjatë vitit 2024, megjithëse kjo sëmundje është pothuajse plotësisht e parandalueshme, thuhet në analizën e realizuar nga organizatat HERA, ESE, “Së bashku më të Fortë” dhe Iniciativa për të Drejtat e Grave nga Shutka, përcjell TV21. Sipas të dhënave, çdo vit rreth 200 gra preken nga kjo sëmundje, ndërsa 40 deri në 60 humbin jetën, kryesisht për shkak të mungesës së skriningut efektiv.
Organizatat theksojnë se buxheti për programet parandaluese ka stagnuar prej vitesh dhe se për skriningun e sëmundjeve malinje ndahen vetëm 23 milionë denarë në vit, shumë e pamjaftueshme për mbulim real.
Ata u bëjnë thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë të rrisin urgjentisht fondet për skriningun e kancerit të qafës së mitrës, të përmirësojnë qasjen në shërbime gjinekologjike dhe të forcojnë vaksinimin kundër HPV-së, duke theksuar se parandalimi nuk është shpenzim, por investim që shpëton jetë.



