LajmeRajon

​“Vetë Zot, vetë shkop”, Rama akuzon për “grusht shtet” financiar gjykatësit që lypën 3 mijë euro rritje në paga

Gjykatësit në Shqipëri kanë bërë një “ujdi” të rrallë, duke propozuar rritje “stratosferike” të pagave të tyre. Ata po duan të rrogat e tyre të rriten për më së paku 1 mijë e 800 e më së shumti 3 mijë euro, nga baza aktuale që janë duke e marrë tashti.

Kjo u kundërshtua rreptë nga kryeministri Edi Rama, i cili në një paraqitje publike, nga makina, mëngjesin e së hënës, u shfaq me tone të ashpra kritike ndaj asaj që publikisht e cilësoi si një manovër të fshehtë dhe të paprecedentë nga ana e trupës gjyqësore dhe Gjykatës Kushtetuese për rritjen e pagave të tyre në nivele disproporcionale me realitetin ekonomik shqiptar.

Reagimi i kreut të qeverisë vjen pas publikimit të një regjistrimi audio nga një seancë e Gjykatës Kushtetuese, ku diskutohej kërkesa për ndryshime buxhetore që do t’u jepnin gjykatësve përfitime financiare të konsiderueshme, duke anashkaluar hierarkinë kushtetuese dhe Parlamentin. Sipas analizës së detajuar të bërë nga kryeministri, thelbi i problemit nuk qëndron vetëm te kërkesa financiare prej 37 milionë eurosh që ishte bërë në emër të të gjithë gjykatësve, por te mënyra që ai e quajti tinëzare dhe momenti i zgjedhur për të avancuar këtë agjendë.

Rama zbuloi se kërkesa ishte planifikuar të bëhej në fillim të marsit, një periudhë strategjike kjo, pasi korrespondonte me pragun e fushatës zgjedhore në Shqipëri. Argumenti i përdorur nga gjyqtarët, sipas transkriptit të cituar nga kryeministri, bazohej në llogaritjen se qeveria dhe politika do të ishin tepër të zëna me zgjedhjet për t’i kushtuar vëmendje kësaj lëvizjeje, ose do të ishin nën presionin e pasigurisë së rezultatit zgjedhor

Ai vuri në dukje se kjo qasje ‘tinëzare’ minon besimin e publikut te reforma në drejtësi, duke krijuar idenë e një kaste të paprekshme që vepron me parimin të cilin ai e kualifikoi si ‘vetë Zot, vetë shkop’.

Një tjetër pikë kritike e ngritur nga Rama ishte krahasimi ndërkombëtar dhe rajonal i pagave. Kryeministri theksoi absurditetin e kërkesave aktuale, të cilat, sic deklaroi, nëse do të miratoheshin, do t’i bënin gjykatësit shqiptarë ndër më të paguarit në rajon, madje duke barazuar ose tejkaluar kolegët e tyre në Greqi, një vend anëtar i Bashkimit Europian me një GDP shumë më të lartë se Shqipëria.

“Pagat aktuale të gjykatësve në Shqipëri janë tashmë dyfish më të larta se ato në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi”, vazhdoi Rama.

Ai shtoi se kërkesa për një rritje prej 1800 deri në 3000 euro mbi pagën ekzistuese u cilësua si një shkëputje totale nga realiteti shoqëror në Shqipëri ndërsa tha se mriatimi i saj do të krijonte një precedent të rrezikshëm ku gjyqësori imponohet mbi legjislativin dhe ekzekutivin, duke vendosur vetë se sa duhet të paguhet.

Një nga kundërshtitë më të forta të kryeministrit ishte ishte argumenti ‘ekonomik’ i përdorur nga disa gjyqtarë në seancë, të cilët, sic raportohet, pretendonin se duhet të paguhen më shumë pasi ‘sjellin të ardhura në buxhet’ nëpërmjet taksave gjyqësore dhe konfiskimeve.

‘Nëse do të ndiqnim këtë logjikë tregtare, atëherë policia duhet të mbante gjobat për vete dhe tatimorët duhet të kishin rrogat më të larta në vend,’ theksoi Rama.

Shefi i kabinetit të ministrave e përfundoi fjalimin e tij kritik, nga makina në lëvizje, me apelin ndaj Gjykatës Kushtetuese që të mos lejojë krijimin e kësaj ‘njolle turpi’ që do të dëmtonte imazhin e drejtësisë së re përballë qytetarëve, pensionistëve dhe kategorive të tjera shoqërore që sic tha, presin drejtësi, e jo korporatizëm financiar.

Related Articles

Back to top button
Close
Close