LajmeRajon

Tregtarët e Vlorës në protestë para vizitës së Ramës: Vendimi i Bashkisë rrezikon punën tonë, po na dëmtoni ekonominë

Tregtarët e Vlorës kanë dalë sërish sot në protestë para Teatrit “Petro Marko”, duke kundërshtuar vendimin e Këshillit Bashkiak për zhvendosjen e tyre nga zonat aktuale të tregtimit. Protesta vjen në një moment simbolik, pasi në qytet pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, çka e ka kthyer reagimin e tregtarëve në një mesazh të drejtpërdrejtë kundër vendimmarrjes së pushtetit lokal dhe qendror.

Sipas vendimit të miratuar, tregtarët e fruta-perimeve do të zhvendosen në tregun e Çoles, ndërsa tregtarët industrialë në tregun e Shumicës në Jalli të Nartës.

Një vendim që sipas vetë tregtarëve, është marrë pa asnjë konsultim real me ta dhe pa u ofruar garanci për kushtet minimale të punës.

Protestuesit shprehen se zhvendosja në këto zona i largon nga qendra e qytetit dhe nga klientët e tyre, duke rrezikuar seriozisht mbijetesën ekonomike të dhjetëra familjeve.

Ata theksojnë se tregjet e reja nuk janë funksionale, nuk kanë infrastrukturë të përshtatshme dhe nuk ofrojnë siguri për vijimin normal të aktivitetit tregtar.

“Vendimet po merren nga zyra, pa u pyetur ata që preken drejtpërdrejt. Ne nuk jemi kundër rregullit, por kundër një vendimi që na shkatërron punën”, shprehen tregtarët.

Protesta nxjerr edhe një herë në pah mënyrën se si Bashkia e Vlorës po imponon projekte dhe vendime pa dialog, duke injoruar zërin e komunitetit dhe interesin ekonomik të qytetarëve të thjeshtë.

Tregtarët paralajmërojnë se protestat do të vijojnë, nëse vendimi nuk rishikohet dhe nëse nuk hapet një proces i vërtetë konsultimi, duke kërkuar që pushteti lokal të ndalë politikat që favorizojnë projektet fasadë në kurriz të ekonomisë së vogël.

Related Articles

Back to top button
Close
Close