Snap arriti marrëveshje me 19-vjeçarin që e paditi

Kompania e rrjeteve sociale Snap ka arritur një marrëveshje për një padi që e akuzonte platformën për shkaktimin e varësisë, sipas raporteve nga mediat ndërkombëtare. Padia ishte ngritur nga një 19-vjeçar i njohur në dokumentet gjyqësore si K.G.M., i cili akuzonte Snap për krijimin e algoritmeve dhe funksioneve që kanë shkaktuar varësi dhe probleme të shëndetit mendor. Përveç Snap, në padi përmenden edhe platformat e tjera si Meta, YouTube dhe TikTok, por për to nuk është arritur ende ndonjë marrëveshje.
Paditësit krahasojnë rastet me industrinë e duhanit në vitet ’90, duke akuzuar kompanitë se kanë fshehur informacion mbi dëmet e mundshme për përdoruesit.
Ata pretendojnë se funksione si infinite scroll, autoplay i videove dhe rekomandimet algoritmike kanë bërë që përdoruesit t’i përdorin vazhdimisht aplikacionet, duke sjellë pasoja si depresioni, çrregullimet e të ngrënit dhe vetëdëmtimi. CEO i Snap, Evan Spiegel, ishte planifikuar të dëshmonte në gjyq, i cili do të kishte qenë rasti i parë që një kompani e rrjeteve sociale përballet me një juri për një padi për varësi. Ndërkohë, gjyqi ndaj Meta, TikTok dhe YouTube pritet të vazhdojë me përzgjedhjen e jurisë më 27 janar, ku CEO i Meta, Mark Zuckerberg, pritet të dalë si dëshmitar.



