
Analiza e Taravarit është e qartë: politika e “provokimit dhe inatit” në marrëdhëniet me fuqitë e mëdha mund të rrezikojë sigurinë dhe stabilitetin e vendit.
“Nën ndikimin e politikave ultranacionaliste, të cilat për të ardhur në pushtet i kanë thelluar edhe më shumë ndarjet etnike, Maqedonia dhe politikanët e saj nuk kanë ditur dhe ende nuk dinë të konsolidohen si shtet i qëndrueshëm. Kjo është arsyeja kryesore pse nuk po lëvizim përpara, pse po injorohemi, pse nuk po zhvillohemi dhe pse madje po e rrezikojmë vetveten”, paralajmëron Taravari.
Stabiliteti i brendshëm si çelës i suksesit ndërkombëtar
Taravari nënvizon se forca dhe stabiliteti i brendshëm janë parakusht për ndikim ndërkombëtar. Ai e merr shembull Zvicrën:
“Ne do ta forconim meritokracinë dhe barazinë. Nëse siguron mundësi të barabarta në një shtet multietnik, ke siguruar stabilitet të jashtëzakonshëm. Zvicra, edhe pse nuk ka asnjë kombësi të vetme zvicerane, funksionon si një nga shtetet më të konsoliduara në botë. Sa më të fortë të jemi në vend, aq më me ndikim do të jemi jashtë. Kjo stabilitet i brendshëm do të na bënte më të respektuar ndërkombëtarisht dhe do të na mundësonte të kemi pozicione më të forta si evropianë dhe si progresistë, ashtu siç jemi dhe duhet të jemi”, shprehet ai.



