
Koalicioni VLEN reagoi ndaj qëndrimeve të BDI-së për sistemin “Safe City”, duke e akuzuar për mungesë serioziteti dhe paqartësi në një çështje që, sipas tyre, lidhet drejtpërdrejt me sigurinë publike dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve. VLEN thekson se BDI ka dhënë deklarata kontradiktore, duke luhatur mes mbështetjes dhe kundërshtimit të ligjit, ndërsa kërkon institucione funksionale dhe politika të përgjegjshme, duke theksuar se “Safe City” nuk duhet të jetë temë për kalkulime ditore politike, por për rend dhe shpëtim jetësh. Ky reagim i VLEN-it vjen pasi dje u shfaqën qëndrime të paqarta nga BDI, pasi deputetja Rina Ajdari deklaroi mbështetje “në parim”, ndërsa deputeti Sadulla Duraku tha se ligji nuk do të votohet nëse nuk bëhen përmirësimet e kërkuara.



