
“Transparency International” Maqedoni e ka publikuar raportin vjetor “Qartë–Turbullt”, i cili përmbledh të gjitha dymbëdhjetë botimet mujore të publikuara gjatë vitit 2025 dhe jep një pasqyrë të plotë të gjendjes së korrupsionit dhe luftës kundër tij në vend, transmeton Portalb.mk.
Raporti vlerëson se viti 2025 është shënuar nga zjarri katastrofik në diskotekën “Pulse” në Koçan, i cili zbuloi praktika serioze korruptive, dështime institucionale dhe një kolaps të plotë të sistemeve të parandalimit. Edhe pse hetimi dhe aktakuza u ngritën brenda afateve ligjore, organizata paralajmëron se beteja e vërtetë për drejtësi ende do të zhvillohet në procedurën gjyqësore.
Po ashtu, aktakuza e ngritur ndaj ish-kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për zbulim të sekreteve zyrtare e ka hapur seriozisht çështjen e kredibilitetit të kësaj institucioni. Në mënyrë të ngjashme, rasti “Onkologjia” dhe zbulimet për ndërhyrje të panevojshme kardiokirurgjike e kanë tronditur besimin në sistemin shëndetësor, duke ngritur dyshime për keqpërdorime të motivuara nga përfitimi financiar.
Raporti thekson se edhe gjatë vitit 2025 nuk u miratua Kodi i ri Penal, gjë që, sipas Transparency, i thellon më tej pasojat e ndryshimeve kontroverse të vitit 2023 dhe ndikon negativisht në rastet e korrupsionit të profilit të lartë.
Në pothuajse çdo numër të “Qartë–Turbullt” janë evidentuar edhe raporte negative të Entit Shtetëror të Revizionit, të cilat tregojnë dobësi sistemike në funksionimin e institucioneve.
Veçanërisht shqetësuese është gjendja e institucionit të Avokatit të Popullit, i cili, për shkak të mungesës së vullnetit politik, vazhdon të funksionojë pa udhëheqje.
Gjatë vitit janë regjistruar edhe raste të shumta të ryshfetit dhe korrupsionit, përfshirë hetime ndaj zyrtarëve të lartë, drejtorëve të institucioneve shëndetësore dhe shtetërore, si dhe raste të ryshfetit që lidhen me leje ndërtimi, pensione invalidore dhe ndikime në gjyqësor.
Pavarësisht dominimit të zhvillimeve “të errëta”, raporti evidenton edhe shembuj pozitivë.
“Transparency International” Maqedoni përfundon se, pavarësisht hapave pozitivë, korrupsioni mbetet problem i rrënjosur thellë dhe se nevoja për reforma thelbësore dhe përgjegjësi politike është më urgjente se kurrë.



