
Në ndërtimin e autostradave të korridoreve 8 dhe 10d, që po i ndërton konsorciumi amerikan-turk “Bechtel & Enka”, në nëntor 2025 ishin të angazhuar 2.131 persona (punonjës të kontraktorit kryesor, nënkontraktorëve, ofruesve të shërbimeve indirekte dhe kontraktorëve të specializuar), si dhe 1.290 njësi pajisje, sipas Raportit të mbikëqyrjes për progresin e punimeve për nëntor 2025, të publikuar në faqen e internetit të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore (NPRSH), shkruan Top24
Sipas raportit, në nëntor të vitit të kaluar kontraktorit i janë paguar 1.149.367.247 denarë. Kryesisht janë kryer hulumtime gjeoteknike, projektim dhe përgatitje e specifikimeve teknike për autostradë, projekte për eksproprim, menaxhim i përkohshëm i trafikut, shembje dhe largim i objekteve ekzistuese dhe elementë të tjerë të rrugës, si dhe aktivitete ndërtimore kryesisht për punë tokësore, drenazh dhe objekte.
Raporti tregon se punimet gjeoteknike janë përfunduar në seksionin e parë Tetovë-Gostivar, ndërsa janë në proces në Gostivar-Bukojçan dhe Prilep-Bitola. Në këto seksione ka aktivitete për punë tokësore, konstruktime dhe drenazh. Për seksionin e tretë Strugë-Trebenishtë ka filluar përgatitja e studimit për vlerësimin e ndikimit mbi mjedisin dhe aspektet socio-ekonomike (ESIA – Environmental Social Impact Assessment).
Ka aktivitete në shtatë ura, tetë mbikalime dhe tre nënkalime. Deri në fund të nëntorit 2025, janë kryer mbi 4,9 milion metra kub ekskavime dhe 1,45 milion metra kub mbushje. Gjithashtu janë vendosur 20.500 metra shtylla, ndërsa për konstruktime janë kryer 63.000 metra kub punime betoni. Për drenazh janë kryer 13.000 metra kub punime betoni – sipas të dhënave nga raporti.
Gjatë vitit 2025, konsorciumit “Bechtel & Enka” ka marrë gjithsej 147 milion euro. Për këtë vit, sipas paralajmërimeve, janë planifikuar 103 milion euro.
Siç deklaroi më herët për MIA, drejtori i NPRSH-së, Koce Trajanovski, deri tani në Seksionin 1, Tetovë-Gostivar, janë të disponueshëm për punë 13 kilometra nga 17,5 kilometra, në Seksionin 2, Gostivar-Bukojçan, janë të disponueshëm 9,6 kilometra nga 31 kilometra, dhe në Seksionin 4, Prilep-Manastir, janë të disponueshëm 22 kilometra nga 40 kilometra.
Aktivitetet kyçe në vitin 2026 do të jenë sigurimi i qasjes dhe mundësive për kryerjen e punimeve në gjatësi të plota për trasat e seksioneve 1, 2 dhe 4. Për Seksionin 3, Trebenishtë-Qafëthanë, është në proces përgatitja e dokumentacionit të detajuar, i cili do të japë udhëzime të sakta për mbrojtjen e biodiversitetit dhe trashëgimisë kulturore gjatë përcaktimit të trasës për këtë seksion rrugor – paralajmëroi Trajanovski, përcjllë Top24
Katër seksionet e autostradës që janë pjesë e projektit që kanë gjatësi totale 109 kilometra, për të cilat duhet të ndërtohen 24 nënkalime, 34 mbikalime dhe ura me gjatësi totale 4.500 metra.



