
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë njoftoi se këtë janar bëhen saktësisht dhjetë vjet nga dorëheqja e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski në vitin 2016, një ngjarje që sipas LDSM-së shënoi fillimin e fundit të një regjimi 11-vjeçar që e kishte kthyer shtetin prapa në të gjitha fushat, shkruan Top24
Nga LSDM theksojnë se me largimin e Gruevskit përfundoi një epokë siç e vlerësojnë ata, të kriminalitetit dhe korrupsionit të paparë, grabitjes sistematike të qytetarëve, partizimit të institucioneve, drejtësisë dhe mediave të kapura, demokracisë së mbytur dhe izolimit ndërkombëtar. Në atë periudhë, potencojnë ata, Maqedonia nuk ishte anëtare e NATO-s dhe ishte larg Bashkimit Evropian.
LSDM vlerëson se ajo ishte një kohë e qytetarëve të varfër dhe të pambrojtur, me pagat më të ulëta në rajon, me fushata të vazhdueshme të zeza, përndjekje politike, presione dhe ndarje në shoqëri.
“Pas dhjetë vitesh, me VMRO-në jemi sërish në të njëjtën gjendje”, theksojnë nga LSDM, duke vlerësuar se në dy vitet e fundit, me Qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski, shteti po lëviz përsëri drejt izolimit dhe largimit nga integrimet evropiane dhe partneriteti strategjik me SHBA-të.
Sipas LSDM-së, standardi jetësor i qytetarëve po bie sërish, punëtorët maqedonas kanë pagat më të ulëta në rajon, ndërsa Qeveria nuk ndërmerr masa thelbësore për përmirësimin e gjendjes. Njëkohësisht, siç pretendojnë ata, po intensifikohet partizimi i institucioneve, po ushtrohet presion mbi gjyqësorin dhe prokurorinë, ndërsa policia po keqpërdoret për qëllime partiake.
Nga atje akuzojnë se kriminaliteti dhe korrupsioni po “lulëzojnë” sërish përmes, siç i quajnë ata, tenderëve kriminalë me të cilët po nxirren fonde publike, ndërkohë që nuk ka para për rritjen e pagave, pagës minimale dhe të ardhurave të ushtarëve.
LSDM thekson se po dëshmohet sërish për fushata të zeza kundër opozitës, linç publik, presione politike dhe rrezikim të lirisë së mediave dhe demokracisë.
“Jemi në të njëjtën gjendje me VMRO-në – vetëm se në vend të Gruevskit sot është Mickoski”, porosisin nga LSDM, duke shtuar se është koha që pushteti t’u kthehet sërish qytetarëve.Top24



