
Po rritet numri i të sëmurëve nga gripi në vend, ndërsa Klinika Infektive në Shkup ka regjistruar edhe një rast tjetër vdekjeje. Ka ndërruar jetë një pacient 69-vjeçar nga shtetas i Maqedonisë që ka jetuar në vend, te i cili virusi ka shkaktuar komplikime serioze, shkruan Top24
Sipas drejtorit të Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana, pacienti është pranuar në gjendje kritike me bronhopneumoni masive dhe menjëherë është lidhur me ventilim mekanik. Analizat laboratorike kanë treguar praninë e influencës A. “Pavarësisht masave të ndërmarra, pacienti nuk ia doli”, njoftoi Cana.
I ndjeri kishte sëmundje të mëparshme të mushkërive dhe nuk ishte i vaksinuar kundër gripit sezonal edhe pse bënte pjesë në kategorinë e rrezikut.
Ky është rasti i dytë vdekjeprurës i lidhur me gripin në një periudhë të shkurtër kohore, pasi më herët kishte ndërruar jetë një grua 75-vjeçare. Aktualisht, në Klinikën Infektive po trajtohen rreth 30 pacientë me gjendje të rëndë klinike, kryesisht persona të moshuar me komplikime respiratore.



