
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova vlerëson se takimet e drejtpërdrejta mes liderëve të partive politike janë më të dobishme sesa bisedimet përmes ndërmjetësve. Sipas saj, pas takimit të fundit të liderëve, të gjithë pjesëmarrësit kanë qenë të relaksuar dhe të bindur se hapi i radhës do të jetë edhe më i mirë, por ajo konsideron se në takim duhej të kishte marrë pjesë edhe lideri i opozitës së LSDM-së, Venko Filipçe.
Në një paraqitje në TV Sitel, Siljanovska-Davkova theksoi se ka ardhur koha që liderët të ulen dhe së bashku të krijojnë zgjidhje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por kjo të bëhet në fillim të mandatit e jo në fund të tij, dhe jo vetëm rreth çështjes së njësive zgjedhore.
Ajo u ndal edhe te tema e qeverisë teknike që funksionon para zgjedhjeve, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një strukturë parapartiake pa bazë kushtetuese. Sipas saj, nuk është mirë që për momentin të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi shteti ka procese serioze të nisura që duhet të përfundojnë.
Siljanovska-Davkova theksoi se takimet e liderëve mund t’i forcojnë liderët, por njëkohësisht t’i dobësojnë institucionet. Megjithatë, në një shoqëri të ndarë si ajo maqedonase dhe në kuadër të demokracisë konsociative, takime të tilla ndonjëherë janë të domosdoshme dhe më të dobishme sesa komunikimi indirekt.
Mos-pjesëmarrja e Filipçes në takim, sipas presidentes, përbën gabimin e tij, pasi ftesa kishte qenë e dërguar. Ajo shtoi se është më mirë që fillimisht të dëgjohen argumentet e të gjitha palëve dhe më pas të dilet me deklarata publike.
Sa i përket qeverisë teknike, Siljanovska-Davkova theksoi se në Kushtetutë nuk ekziston nocioni i qeverisë kalimtare apo teknike dhe se modeli që zbatohet te ne është specifik dhe problematik. Si çështje të kontestuara ajo përmendi ministrat shtesë dhe zëvendësministrat me të drejtë vetoje, si dhe rolin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në kontestet financiare.
Ajo rikujtoi se shfuqizimi i qeverisë teknike ka qenë temë kritike nga të gjitha partitë, përfshirë edhe LSDM-në, që në të kaluarën.
Në pjesën që lidhet me Kodin Zgjedhor, presidentja theksoi se çështjet kyçe janë mënyra e shndërrimit të votave në mandate, modeli zgjedhor (një njësi zgjedhore apo më shumë), barazia e votës, si dhe kushtet për listat e pavarura. Sipas saj, është e nevojshme të shqyrtohen edhe çështjet e financimit, reklamimit politik dhe rekomandimet e OSBE-së dhe Komisionit të Venecias, me qëllim që të krijohet një bazë më e mirë për proceset e ardhshme zgjedhore.



