Në Universitetin e Tetovës u prezantuan mundësitë për bursa nga DAAD

Në kuadër të bashkëpunimit akademik dhe mbështetjes së studentëve në zhvillimin e tyre
profesional dhe avancimin e studimeve, në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës u mbajt
prezantim informativ mbi mundësitë e bursave të ofruara nga Shërbimi Gjerman për Shkëmbim
Akademik (DAAD).
Në këtë aktivitet, studentët, hulumtuesit dhe profesorët e pranishëm patën mundësinë të njihen me
programet e bursave të DAAD-së. Prezantimin e mbajti lektorja e DAAD-së në Maqedoninë e
Veriut, znj. Susan Veselji-Zuka, e cila i informoi të pranishmit mbi programet e ndryshme të
bursave, kriteret dhe procedurat e aplikimit, dokumentacionin e nevojshëm, afatet kohore, si dhe
udhëzimet praktike për përgatitjen e një aplikimi të suksesshëm.
Aktiviteti u shoqërua me interesim të veçantë nga studentët, të cilët, përmes një sesioni interaktiv
me pyetje – përgjigje, patën mundësinë të marrin informacione dhe sqarime shtesë lidhur me
procesin e aplikimit, mundësitë për specializim dhe kushtet e studimit e të jetesës në Gjermani.
Të gjithë të interesuarit për të aplikuar në programet e bursave të DAAD-së mund të gjejnë
informacione më të detajuara përmes faqes zyrtare të DAAD-së në Instagram:
https://www.instagram.com/daad_north.macedonia/