
Pas akuzave të bëra nga Parku Kombëtar “Mali Sharr” për “ratrake të egra” që kinse kanë rrezikuar jetën e punëtorëve të parkut kombëtarë, me një reagim të ashpër është paraqitur operatori “Gale Nedelkoski” nga “Hotel Arena”. Në demantin thuhet se e vërteta është krejtësisht ndryshe – se ata kanë paguar para Parkut, ndërsa policia është thirrur pikërisht nga ata për shkak të, siç thonë, veprimit të paligjshëm të të punësuarve të parkut kombëtarë, shkruan Top24
Operatori kategorikisht e demanton titullin se janë rrezikuar jetë njerëzish, duke e quajtur sensacionalist dhe të pasaktë.
“Policia i largoi punëtorët, jo ne.”
Sipas reagimit, incidenti ka pasur një rrjedhë të kundërt nga ajo që u plasua në opinion.
“Nuk është e vërtetë se policia ka intervenuar për shkak të rrezikimit të sigurisë nga ana e operatorit. Përkundrazi, policia u thirr pas një denoncimi nga vetë operatori, për shkak të veprimit të paligjshëm dhe të detyruar në terren, pas së cilës të punësuarit e parkut kombëtar u larguan nga vendi i ngjarjes, e jo anasjelltas”, thuhet në reagim.
Nga kompania pohojnë se nuk ka ekzistuar asnjë kërcënim për sigurinë, por se bëhet fjalë për “ndalim të paligjshëm dhe të detyruar” të punës së tyre.
Janë paguar 5.000 euro avans me kërkesë të Parkut
Argumenti kryesor i operatorit është se ata tashmë kanë një marrëdhënie financiare të rregulluar me institucionin publik.
Operatori thotë se ka vepruar në përputhje me një shkresë nga NP Mali Sharr dhe tariforin e tyre zyrtar.
Në bazë të kësaj, është bërë një pagesë avansi prej 5.000 eurosh, me arsyetimin se institucioni është i vetëfinancuar dhe ka nevojë për mjete financiare.
“Pavarësisht kësaj, ratraqet u penguan fizikisht të lëvizin, pa iu dorëzuar paraprakisht një vendim me shkrim dhe pa ndalim formal”, reagojnë nga “Hotel Arena”.
Akuza për sabotazh dhe interesa personale
Operatori, i cili thekson se është i pranishëm në treg prej më shumë se 15 vitesh dhe sjell rreth 1.500 turistë në vit, konsideron se pas kësaj fshihen interesa personale.
“Me bazë konsiderojmë se bëhet fjalë për një ndërthurje interesash mes individëve të caktuar të punësuar në institucion, si dhe për një përpjekje për sabotazh dhe shkatërrim të një produkti turistik tashmë të konsoliduar”, thuhet në reagim.
Ata pyesin publikisht pse një institucion i ngarkuar për zhvillimin e turizmit tenton të shkatërrojë një brend të njohur ndërkombëtarisht, pa dorëzuar prova apo elaborime për dëme të supozuara ndaj natyrës.
Në fund, ata paralajmërojnë se për shkak të cënimit të reputacionit të biznesit dhe dëmeve financiare ndaj kapaciteteve akomoduese, do të ndërmarrin masa ligjore dhe institucionale.



