
Këngëtari i mirënjohur nga Kosova, Yll Limani, ka lajmëruar të gjithë ndjekësit dhe fansat e tij, se këtë vit nuk do të performojë më si më parë në lokale nate.
Në nje postim ně rrjetet sociale, ai ka theksuar se ky vendim nuk ka ardhur sepse po largohet nga muzika apo se klubet nuk janë pjesë e historise se tij si kengetar.
Këngëtari shprehet se disa këngë, sipas tij, nuk janë të krijuara për lokale nate dhe se ato kërkojnë hapësira të tjera për t’u ndjerë siç duhet.
“Tani, kam vendosur të ndalem për pak. Në vitin 2026 nuk do të mbaj performanca në klube. Jo sepse po largohem nga muzika, apo sepse klubet nuk janë pjesë e rëndësishme e historisë sime; klubet janë vendi ku muzika ime është rritur, ku kam kënduar bashkë me ju. Dhe kam kujtime të paharrueshme. Disa këngë nuk janë bërë për klube. Disa momente kërkojnë një hapësirë tjetër për t’u ndier ashtu siç duhet”, ka shkruar ai.
Ndër të tjera, Yll Limani ka paralajmëruar se ky vendim është marrë për të krijuar diçka më të madhe për të gjithë ata që ia duan muzikën.
“Ky është thjesht një vendim për të krijuar hapësirë për diçka më të madhe. Për t’u përgatitur. Për t’u takuar ndryshe. Faleminderit për çdo natë që e kemi ndarë bashkë deri më sot”, shkruan këngëtari.
Postimi i plotë:
Për shumë vjet, jemi taku gati çdo fundjavë n’klube të ndryshme, gjithkah ku ka pasë njerëz që e dojnë muzikën tem. Prania e juve, energjia, afërsia edhe dashnia që ma keni dhanë, ma gzojnë zemrën dhe jom falënderues pafund!
Tash, kom vendos me u ndal pak. N’vitin 2026 nuk kom me mbajt performanca n’klube. Jo pse po largohna prej muzikës ose se klubet s’jon pjesë e rëndësishme e historisë tem; klubet jon vendi ku muzika jem osht rrit, ku kom knu bashkë me juve. Edhe kom kujtime t’paharrushme.
Disa kangë s’jon t’bome për klube. Do momente lypin ni hapësirë tjetër për me u ndje qysh duhet.
Disa gjana n’jetë lypin kohë. Fokus. Ni frymëmarrje tjetër.
Ky osht thjesht ni vendim për me kriju hapësirë për diçka ma t’madhe. Për me u përgatit. Për me u taku ndryshe.
Faleminderit për çdo natë që e kemi nda bashkë deri sot.
Shihemi shumë shpejt, qashtu qysh ju keni qef.
Ju dua <3






