LajmeMaqedoniTopLajm

INVESTIME QË THYHEN BRENDA NATËS! “Rruga e Butiqeve” nuk gjen qetësi

Rruga e Butiqeve, e cila në nëntor të vitit 2024 u përurua dhe u lëshua në përdorim pas një rikonstruksioni tërësor, po përballet sërish me dëmtime të pronës publike

Urim HASIPI

Tetovë, 9 janar – Dëmtimi i pronës publike në Tetovë vazhdon të mbetet një problem serioz dhe i përsëritur ndër vite. Kjo dukuri, e pranishme jo vetëm në Tetovë por edhe në rajone të tjera të vendit, po vazhdon pa u ndalur, pavarësisht investimeve të realizuara nga autoritetet lokale. Së fundmi, më e ekspozuara ndaj pakujdesisë dhe vandalizmit është rruga e njohur e Butiqeve. Në profilin zyrtar të Komunës së Tetovës është publikuar një video ku shihet një taksist duke dëmtuar një pemë, ulëse dhe inventar tjetër urban në këtë pjesë të qytetit. Nga Komuna e Tetovës njoftuan se rasti do të paraqitet në organet kompetente, shkruan gazeta KOHA.

“Rasti do të paraqitet në polici, ndërsa Inspektorati komunal do të dalë në terren për të përpiluar raportin dhe për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në përputhje me ligjin. Apelojmë për kujdes dhe respekt ndaj hapësirave publike, sepse ato janë pasuri e përbashkët e të gjithë qytetarëve”, thuhet në reagimin e Komunës të publikuar në rrjetet sociale.

Ky nuk është rasti i parë i dëmtimit në këtë rrugë. Më 1 prill të vitit të kaluar ishte regjistruar një tjetër incident, ku një veturë kishte dëmtuar një shtyllë elektrike. Përveç kësaj, shpeshherë janë dëmtuar edhe ulëset, shportat për mbeturina dhe pemët e mbjella. Nga Komuna e Tetovës edhe më herët kanë paralajmëruar se këto dëmtime përbëjnë kosto shtesë financiare dhe janë të papranueshme. “Do të ishte për keqardhje nëse këto dëmtime ndodhin me qëllim, sepse bëhet fjalë për pronë publike që nuk i përket vetëm komunës, por të gjithë qytetarëve”, kishin deklaruar nga Komuna në raste të mëparshme.

Rruga e Butiqeve, e rikonstruktuar plotësisht dhe e pajisur me kalldrëm, ndriçim publik, ulëse dhe shporta për mbeturina, ishte menduar të shndërrohej në një hapësirë moderne urbane. Megjithatë, pavarësisht investimeve, dëmtimet e infrastrukturës mbitokësore po përsëriten, duke kërkuar ndërhyrje të shpeshta dhe shpenzime shtesë për riparim. Dëmtime të ngjashme nuk regjistrohen vetëm në këtë rrugë. Ulëset përgjatë trotuareve në pjesë të ndryshme të Tetovës, si dhe ato në rrugën e Banjës, shpeshherë shkatërrohen në mënyrë të pamëshirshme, duke reflektuar mungesë kujdesi dhe përgjegjësie ndaj hapësirave publike.(koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close