
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në brifingun e sotëm me gazetarët, përsëriti edhe një herë se nuk do të ketë takim me kriminelë dhe se qeveria teknike duhet të mbetet, sepse ajo është vija e fundit e mbrojtjes nga kapja e plotë dhe keqpërdorimi i më të rëndësishmes – vullnetit të lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor.
Filipçe theksoi se Mickoskit “i ngutet” dhe se “po kërkohet alibi për shpalljen e zgjedhjeve, nuk i duhet dialog, por mbulim”.
Duke argumentuar pse qeveria teknike duhet të mbetet, Filipçe theksoi se ajo mund të hiqet “vetëm atëherë kur do të ishim shoqëri e pjekur, e ne në këtë moment nuk jemi”.
Arsyeja, sipas tij, është se “ky pushtet i ka vënë agresivisht kthetrat mbi të gjitha institucionet dhe i keqpërdor ato për qëllime politike”.
“Nuk guxon të hiqet qeveria teknike, sepse ajo është dritë, e vetmja mundësi për zgjedhje të ndershme dhe të drejta. Ata nuk e duan qeverinë teknike sepse, kur të hyjë ministër nga opozita, do të ketë pasqyrë mbi të gjitha keqpërdorimet dhe mbi të gjithë sistemin korruptiv. Nuk e duan qeverinë teknike sepse për këtë pushtet ajo do të thotë hapje e kutisë së Pandorës”, tha Filipçe.
Kryetari i LSDM-së theksoi se po shihet “okupim i sistemit të drejtësisë” dhe se “është vendosur kontroll i plotë mbi prokurorinë, ushtrohet presion mbi Këshillin Gjyqësor dhe miratohen ndryshime në Kodin Penal që u përshtaten vetëm pushtetit”, duke nënvizuar se “kjo nuk bëhet rastësisht, por për të mbrojtur krimin dhe korrupsionin”.
Si argument shtesë për nevojën e qeverisë teknike, Filipçe përmendi edhe shembuj konkretë.
“Në bujqësi pamë se çfarë ndodhi me IPARD 3 – një drejtor i emëruar nga VMRO u arrestua për korrupsion dhe përvetësim të parave evropiane. Kjo është një arsye pse duhet të ketë qeveri teknike”.
Ai paralajmëroi edhe për rreziqet nga partizimi dhe keqpërdorimi i policisë.
“Miratohen rezoluta me të cilat praktikisht kufizohet liria e fjalës së opozitës” dhe se “me Ligjin për Policinë po shkohet drejt partizimit të plotë të MPB-së”, duke theksuar se “çdo bisedë për heqjen e qeverisë teknike nuk është vetëm e papërgjegjshme, por edhe e rrezikshme për demokracinë dhe proceset në vend”.
Filipçe theksoi se “vetëm qeveria teknike, me prani të opozitës në qeveri, mund të garantojë cikël zgjedhor të drejtë dhe demokratik” dhe se ajo është e nevojshme edhe si balancë institucionale: “Qeveria teknike do të garantojë njëfarë balance institucionale”.
Në pjesën për mbikëqyrjen digjitale, Filipçe paralajmëroi për rreziqet nga sistemet e parregulluara.
“Legalizimi i mbikëqyrjes masive, përmes sistemit Safe City, me 65 mijë kamera, mundëson mbikëqyrje digjitale të lëvizjes së qytetarëve”, duke theksuar se “një ministër teknik i Punëve të Brendshme nga opozita është garanci që ky sistem të mos keqpërdoret” për ndjekjen e qytetarëve apo opozitës gjatë fushatës zgjedhore.
LSDM mbetet në qëndrimin se qeveria teknike është e domosdoshme si barriera e fundit institucionale për zgjedhje demokratike dhe mbrojtje nga keqpërdorimi i institucioneve shtetërore, sepse, siç theksoi Filipçe, ajo nuk është vetëm “trup teknik”, por “veto institucionale kundër vendosjes së një regjimi autoritar”. Top24



