
Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, në një konferencë për shtyp prezantoi pesë masa konkrete sociale, të cilat do të zbatohen menjëherë pas marrjes së mandatit.
Limani theksoi se vizioni i tij për Gostivarin bazohet në veprime konkrete dhe politika të zbatueshme, e jo në premtime boshe.
“Ne kemi treguar se dimë të zbatojmë vendime. Vitin e kaluar ndamë nga 100 euro për çdo familje me fëmijë të porsalindur dhe këtë masë do ta vazhdojmë edhe sivjet”, deklaroi Limani.
Ai nënvizoi se rinia do të jetë prioritet kryesor i qeverisjes së tij. Sipas tij, çdo vit do të mbështeten 30 start-up-e rinore me nga 60.000 denarë, si një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen ekonomike të Gostivarit.
“Investimi në të rinjtë tanë është investim në të ardhmen e qytetit”, theksoi Limani.
Mbështetje të veçantë do të kenë edhe gratë dhe vajzat. Limani bëri të ditur se çdo vit 30 gra dhe vajza do të përkrahen financiarisht për nismat e tyre të biznesit, duke theksuar se zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të arrihet pa fuqizimin e grave.
Në kuadër të masave sociale dhe familjare, ai prezantoi edhe projektin për pensionistët – gjyshër, të cilët shpesh mbajnë barrën kryesore të kujdesit për nipërit dhe mbesat.
“Gjyshërit tanë meritojnë respekt dhe përkrahje. Për këtë arsye, ata do të përfitojnë 30.000 denarë në vit, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre”, tha Limani.
Në fokus të veçantë të programit është edhe siguria në shkolla. Limani paralajmëroi krijimin e programit “Ambasadorët e Sigurisë dhe Respektit” në çdo shkollë, me synim parandalimin e bullizmit dhe ndërtimin e një mjedisi të sigurt për nxënësit.
Në fund, Limani theksoi se këto masa nuk janë premtime zgjedhore, por një plan konkret veprimi për një Gostivar më të drejtë, më social dhe më të zhvilluar.
Aleanca Kombëtare për Integrim – Gostivar
Fjalimi integral:
ëTë nderuar përfaqësues të mediave,të dashur qytetarë,
Para se të prezantoj masat e reja që do t’i zbatojmë menjëherë pas marrjes së përgjegjësisë në Komunën e Gostivarit, dua të rikujtoj një vendim shumë të rëndësishëm që e morëm vitin e kaluar dhe që u zbatua me sukses.
Bëhet fjalë për vendimin për ndarjen e 100 eurove për çdo familje me fëmijë të porsalindur – një masë konkrete, humane dhe e drejtë, e cila dëshmoi se kur ka vullnet politik, ka edhe zbatim real. Këtë masë do ta vazhdojmë edhe sivjet.
Sot, para jush, po prezantoj masa të reja, po aq konkrete, të cilat do të zbatohen menjëherë me ardhjen tonë në Komunë.
Rinia – e ardhmja jonë
Për çdo të ri dhe të re deri në moshën 30 vjeç, Komuna e Gostivarit do të mbështesë start-up-et me nga 60.000 denarë.
Çdo vit do të përkrahim 30 nisma të reja rinore, duke investuar drejtpërdrejt në idetë, kreativitetin dhe guximin e të rinjve tanë.
Gratë – shtylla e zhvillimit
Zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të arrihet pa fuqizimin e grave.
Çdo vit, 30 vajza dhe gra do të përfitojnë nga 60.000 denarë për nismat e tyre të biznesit.
Ky është investim në pavarësi ekonomike dhe në barazi reale.
Një masë e veçantë, shumë e dashur për mua personalisht
Para se të flas për këtë masë, dua të theksoj se ajo është ndër më të dashurat për mua personalisht, sepse prek drejtpërdrejt familjen, solidaritetin dhe rolin e pazëvendësueshëm të gjyshërve tanë.
Sot, shumë prindër janë të dy në punë dhe barrën më të madhe të kujdesit për fëmijët e vegjël e mbajnë pikërisht gjyshërit – me dashuri, përkushtim dhe sakrificë të heshtur.
Faleminderit gjyshërve tanë!
Ky projekt është i dedikuar për gjyshërit pensionistë që kujdesen për nipërit dhe mbesat e tyre, ndërkohë që prindërit janë të dy në punë.
Ata do të përfitojnë një shumë simbolike prej 30.000 denarësh në vit nga Komuna e Gostivarit, si shenjë mirënjohjeje, respekti dhe mbështetjeje konkrete.
Shkolla të sigurta dhe pa bullizëm
Do të krijojmë programin “Ambasadorët e Sigurisë dhe Respektit” në çdo shkollë.
Këta nxënës do të përzgjidhen në bashkëpunim me mësuesit dhe psikologët shkollorë, jo vetëm sipas suksesit mësimor, por edhe sipas ndikimit pozitiv që kanë te bashkëmoshatarët e tyre.
Qëllimi është i qartë:
Nxënësit ndikojnë më shumë te njëri-tjetri sesa të rriturit.
Viktimat ndihen më të sigurta kur kanë bashkëmoshatarë që i mbrojnë.
Shkolla shndërrohet në një komunitet më të fortë dhe më të bashkuar.



