
Kandidati për deputet nga AAK-ja, Daut Haradinaj, tha se nuk do të shfrytëzonte sakrificën e nënës dhe familjes së tij për përfitime politike.
Ai iu referua postimit të bashkëshortit të ministres në detyrë, Albulena Haxhiut, Alban Krasniqit, që u mor si referencë ndaj Ramush Haradinajt sikur ky i fundit, në kohë fushate, po shfrytëzonte lotët e nënës së tij në një video.
Haradinaj kritikoi rënien e nivelit të komunikimit, teksa pohoi që nuk është ithtar të shfrytëzojë një dhimbje të tillë për përfitime politike.
“Ka degradu fjalori, edhe ka degradu në asi niveli sa zhdryp edhe flet pse po bën lot, pse s’po bën lot dikush”, ka thënë Haradinaj në Jehonën Politike në Klan Kosova.
“Unë nuk jam ithtar me e shfrytëzu atë sakrificë sepse nuk është vetëm loti i nanës tem, por menoj se është edhe i shumë nanave shqiptare që kanë hupë e kanë sakrifiku”.
“Më vjen keq që një prej tyne është edhe nana jeme por atë ua la në derë të tyne, le të folin çka të dojnë”.
“Historia ka me u vërtetu edhe e vërteta sado që vonon del n’shesh, edhe del kush ku o kanë”.



