
Shërbimi jo cilësor, ndryshimet në kushtet e kontratave të abonimit, faturat e larta dhe prishja e kontratave me pagesë penalitetesh mbeten arsyet më të shpeshta për të cilat qytetarët i janë drejtuar Agjencisë për Komunikime Elektronike (AKE) për ndërmjetësim në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Sa i përket zhvillimeve në treg, AKE vlerëson se viti 2025 ka qenë pozitiv për sektorin e komunikimeve elektronike, me të gjithë parametrat tremujorë që tregojnë trend rritës. Inovacionet kryesore që priten në vitin 2026 përfshijnë hyrjen e operatorit të tretë të rrjetit në telefoninë mobile, vënien në funksion të kullës telekomunikuese në Vodno dhe futjen e teknologjisë T-DAB.
Procesi për futjen e operatorit të tretë të rrjetit ka nisur në vitin 2025, ndërsa fillimi zyrtar i punës pritet në fillim të vitit 2026. Me kërkesë të ofertuesit të vetëm, “One Macedonia Telekomunikacii” nga kompania hungareze “4iG”, AKE i ka zgjatur afatet e tenderit për 96 ditë. Afati për përzgjedhjen e ofertuesit më të volitshëm është 12 janari 2026, ndërsa licenca për shfrytëzimin e radiofrekuencave pritet të jepet deri më 25 shkurt 2026.
Në tregun vendor aktualisht operojnë “Makedonski Telekom AD Shkup” dhe “A1 Maqedonia DOOEL Shkup”, si dhe operatorët virtualë Lycamobile, MTEL, ROBI dhe Green Telecommunications.
Muajin e ardhshëm pritet të vihet në funksion edhe kulla telekomunikuese në Vodno, një investim kapital i nisur në vitin 2013. Kulla do të shërbejë për përmirësimin e kompatibilitetit elektromagnetik dhe rritjen e sigurisë në shërbimet e radionavigacionit ajror dhe mobil, duke shmangur interferencat në komunikimet radiokomunikuese.



