
Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi përmes një postimi ka reaguar ndaj qëndrimeve të gjykatës kushtetuese duke e theksuar se “Gjykata Kushtetuese edhe një herë dëshmojnë qasjen e tij joprofesionale dhe tendecioze, duke e shndërruar veten dhe institucionin që drejton në organ parapolitik majorizues, në funksion të zhbërjes së Marrëveshjes së Ohrit”, shkruan Top24
Deklaratat e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese edhe një herë dëshmojnë qasjen e tij joprofesionale dhe tendecioze, duke e shndërruar veten dhe institucionin që drejton në organ parapolitik majorizues, në funksion të zhbërjes së Marrëveshjes së Ohrit.
Të thuhet se “as nuk japim, as nuk marrim”, ndërkohë që paralajmërohet harmonizim me Kushtetutën pa transparencë dhe në kundërshtim me Amendamentin V të vetë Kushtetutës, përbën shkelje flagrante të të drejtave të shqiptarëve dhe minimizim të shqetësimeve legjitime të tyre, të cilët me të drejtë shohin rrezik në një proces të mbyllur, majorizues, të njëanshëm dhe pa asnjë argument profesional.
Po aq problematike janë qëndrimet kundër parimit të Badinterit në vendimarrjen e Gjykatës. Badinteri nuk është shpikje politike e BDI-së, por mekanizëm kushtetues për mbrojtjen e komuniteteve dhe ruajtjen e karakterit multietnik të shtetit. Përjashtimi i tij nga vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese për çështje që prekin drejtpërdrejt të drejtat kolektive nuk e forcon shtetin ligjor, por e cenon atë, duke e zhveshur drejtësinë nga ndjeshmëria kushtetuese dhe shoqërore.
Koha është tani për Badinter në Gjykatën Kushtetuese!



