
Gjatë vitit 2025, në Maqedoni janë raportuar 38 raste të reja të regjistruara me HIV/AIDS, përkastësisht 2,1 raste për 100 mijë banorë. Përkundër situatës jo të mirë, nëse krahasohemi me vendet e Bashkimit Evropian, ku paraqitja e rasteve të reja në vitin 2024 ishte 5,3 raste për 100 mijë banorë, situata në në vend mbetet më e favorshme. Përpos kësaj, ka ulje të rasteve të reja nga viti 2024, raporton Mollëkuqja.mk.
Virusi HIV mbetet një problem kryesor global i shëndetit publik. Pas dekadash përparimi, përgjigjja ndaj HIV-it ndodhet në një udhëkryq. Shërbimet shpëtimtare po ndërpriten dhe shumë komunitete përballen me rreziqe dhe cenueshmëri të shtuara. Megjithatë, pavarësisht sfidave, Organizata Botërore e Shëndetësisë synon që t’i jepet fund virusit HIV deri në vitin 2030. Gjatë shënimit të Ditës Botërore të Luftës kundër AIDS-sit në Maqedoninë e Veriut, nën moton: “Kapërcimi i ndërprerjeve, transformimi i përgjigjes ndaj AIDS-s”, u bë thirrje për udhëheqje të vazhdueshme politike, bashkëpunim ndërkombëtar dhe qasje të bazuara në të drejtat e njeriut për t’i dhënë fund virusit deri në vitin 2030.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një ulje prej 25,5% të numrit të rasteve të reja krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur ishin regjistruar 51 raste të reja.
“Pjesa më e madhe e rasteve të regjistruara në vitin 2025, gjithsej 15, janë nga Shkupi, me një paraqitje prej 2,5 për 100.000 banorë. Rastet e tjera janë raportuar si sporadike në 14 qytete të ndryshme të vendit, ndërsa një rast i përket një shtetasi të huaj. Gjatë këtij viti janë regjistruar edhe 8 vdekje të lidhura me virusin HIV, ku një pjesë e tyre i përkasin rasteve të diagnostifikuara në vitet e mëparshme. Nga 38 rastet e reja të regjistruara, 37 janë meshkuj dhe vetëm një femër, duke konfirmuar trendin e vazhdueshëm të dominimit të meshkujve në rastet e reja me HIV. Mosha mesatare e të prekurve është 35 vjeç, me një diapazon nga 23 deri në 64 vjeç, ndërsa 73,7% e rasteve i përkasin grupmoshës 20–39 vjeç, që përfshin popullatën më seksualisht aktive”, thuhet në raportin e ISHP-së.
Edhe pse Maqedonia konsiderohet vend me përhapje të ulët të HIV-it, të dhënat kumulative tregojnë një trend në rritje gjatë viteve të fundit. Nga viti 1987 deri në fund të nëntorit 2025, në vend janë regjistruar gjithsej 726 raste të HIV/SIDA-s, ndërsa 32% e tyre janë diagnostikuar vetëm në pesë vitet e fundit.
Gjatë periudhës 1987–2025, gjithsej 138 persona të diagnostikuar me HIV në Maqedoni kanë humbur jetën për shkaqe të lidhura me SIDA-n, që përfaqëson një shkallë vdekshmërie prej 18,2%.
Ekspertët theksojnë se, pavarësisht nivelit të ulët të përhapjes, forcimi i testimit, diagnostikimit të hershëm dhe qasjes së vazhdueshme në terapi mbetet thelbësor për frenimin e përhapjes së HIV-it dhe përmirësimin e shëndetit publik në vend.
Sipas të dhënave të shoqatave që merren me këtë problematikë, në nivel kombëtar vlerësohet se rreth 620 persona jetojnë me HIV, por vetëm 71,4% prej tyre janë të diagnostikuar, që do të thotë se 3 nga 10 persona nuk e dinë se kanë HIV. Ky fakt e mban aktiv transmetimin dhe e vështirëson kontrollin e epidemisë.
“Vendi ynë duhet ta përshpejtojë përgjigjen ndaj HIV-it: pothuajse një e treta e personave që jetojnë me virusin ende nuk janë të diagnostikuar. Organizatat e shoqërisë civile zbulojnë raste të reja 12 herë më efektivisht sesa sistemi shëndetësor, çka është një dëshmi e qartë se investimet strategjike në parandalim sjellin rezultatet më të forta dhe më të shpejta. Asnjë qytetar nuk guxon të mbetet i padukshëm ose pa qasje në kujdes shëndetësor”, deklaroi Olivera Stojkovska, Drejtoreshë Programore në HERA – Shoqata për Edukim dhe Kërkim Shëndetësor.
Ekspertët po ashtu theksojnë se, Maqedonia e Veriut ka mundësi reale ta eliminojë plotësisht epideminë e HIV-it në vitet e ardhshme, nëse testimi në kohë bëhet gjerësisht i qasshëm, parandalimi forcohet në mënyrë sistematike dhe institucionet së bashku me sektorin civil vazhdojnë bashkëpunimin e përbashkët.
“Disponueshmëria e vazhdueshme e terapisë është më e rëndësishmja për personat që jetojnë me HIV; ajo mundëson një jetë të shëndetshme dhe normale dhe parandalon transmetimin e mëtejshëm të virusit. Këtë vit, për herë të parë, u siguruan barna për 24 muaj, gjë që i ul ndjeshëm rreziqet e ndërprerjes së terapisë. Por, për ta ndalur realisht rritjen e epidemisë, duhet të investojmë në testim dhe diagnostikim të hershëm, në mënyrë që çdo person i diagnostikuar rishtazi të marrë menjëherë terapi bashkëkohore”, deklaroi Andrej Senih, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës për mbështetjen e personave që jetojnë me HIV “Së bashku më të fortë”.
Ndërkaq, koordinatorja Kombëtare për HIV, Milena Stevanoviq, thotë se testimi në kohë është mjeti më i rëndësishëm për arritjen e qëllimit – eliminimin e HIV-it deri në vitin 2030, duke nënvizuar se zbulimi i hershëm nënkupton qasje të menjëhershme në terapi dhe ndërprerje të përhapjes së mëtejshme të virusit.
Sa i përket gjendjes në nivel global, transmetimi i virusit është i pranishëm në të gjitha vendet. Vlerësohet se në fund të vitit 2024 jetonin 40,8 milionë njerëz me HIV, prej të cilëve 65% në rajonin afrikan të OBSH-së.
Në vitin 2024, rreth 630,000 persona kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me HIV-in dhe vlerësohet se 1,3 milionë persona janë infektuar rishtazi me HIV.



