
Në emisionin “Samo Intervju” në televizionin Kanal 5, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Miloshoski, deklaroi se Maqedonia dhe Britania e Madhe kanë nënshkruar një marrëveshje për investime, bashkëpunim dhe projekte, duke theksuar se kjo marrëveshje nuk përfshin asnjë obligim që lidhet me migrantë. Sipas tij, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, po e shfrytëzon këtë temë për spekulime me synim të fshehë dobësitë e partisë së tij, përcjellë Top24
“Maqedonia dhe Britania kanë marrëveshje për investime, bashkëpunim dhe projekte, dhe asnjëra palë nuk ka imponuar temë që përfshin migrantë. Është një temë që manipulohet lehtë, dhe mendoj se te LSDM-ja, sidomos te kryetari Venko Filipçe, kjo çështje ka rol të dyfishtë. Ai përballet me ‘migrantë partiakë’ që largohen drejt opsioneve të tjera politike, sepse shohin se LSDM po e humb ndikimin që e ka pasur para 5 ose 10 vitesh”, tha Miloshoski.
Ai shtoi se asnjë funksionar i lartë i VMRO-DPMNE-së nuk ka dalë me deklarata si ato që, sipas tij, dikur i bënte aktivistja e LSDM-së, Mersiha Smailoviq.
Miloshoski informoi se numri i personave që kanë marrë status azilanti apo refugjati në Maqedoni është gjithsej 14: nëntë prej tyre janë shtetas të Kosovës, tre të Kongos dhe dy të Sirisë. Ai ironizoi se edhe numri i anëtarëve të dorëhequr të Kryesisë së LSDM-së është po 14.
“Ndoshta është rastësi, por fakti që Kryesia e LSDM-së ka 14 anëtarë të dorëhequr, ndërsa në Maqedoni aktualisht ka 14 persona me status refugjati, është shumë simbolik. Mendoj se deri në mars ose prill, Filipçe do të tentojë ta përdorë këtë temë për të mbuluar problemet brenda partisë”, theksoi ai.
Miloshoski potencoi se qytetarët duhet të jenë të qetë, sepse në Maqedoni nuk ka ardhur asnjë kërkesë për migrantë nga Britania, dhe edhe sikur të vinte, do të refuzohej kategorikisht.
“Derisa në Maqedoni s’ka ardhur asnjë kërkesë nga Britania për migrantë, dhe edhe sikur të vinte do të refuzohej, opinioni duhet të jetë i qetë. Kjo është një temë manipulative politike që Filipçe e keqpërdor për të mbuluar boshllëqet e LSDM-së – mungesën e ideve, mungesën e kuadrit dhe mungesën e njerëzve për debate televizive. Prandaj ai po mban gjallë një temë që do t’i zgjasë deri në shkurt-mars të vitit të ardhshëm”, deklaroi Miloshoski. Top24



