
Zeqirija Ibrahimi ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Alternativës dhe ka bërë të ditur se me partinë, deri në mbledhjen e Kuvendit Qendror, do të udhëheqë Bekim Sali, njofton Top24
Siç ka bërë të ditur Ibrahimi, dorëheqja bëhet për shkaqe të zhvillimeve në VLEN, të cilat sipas tij, e obliguan që ta marrë këtë vendim pasi siç shton, qëllimi ishte të mos kandidohet fare në Kongresin e ardhshëm të Alternativës që do të mbahet në mars/prill 2026.
“Të nderuar bashkëpunëtorë e kolegë të Alternativës, në veçanti, e të VLEN-it, në përgjithësi,
Familjarë të dashur, miq e shokë,
Dëshiroj t’ju njoftoj publikisht se sonte, në mbledhjen e Kuvendit Qendror të Alternativës, e ofrova dorëheqjen time të pakthyeshme nga pozita e kryetarit të partisë AlternAtivA. Me këtë rast, në këtë detyrë, deri në kongresin e ardhshëm, me mbështetje të plotë u zgjodh miku im tridekadësh, deputeti i sotëm dhe zëvendëskryeministri i parë i nesërm, Bekim Sali.
Ndonëse synimi im ka qenë që kjo të mos bëhet me dorëheqje, por thjesht mos të kandidohem më për këtë pozitë në kongresin e ardhshëm të Alternativës, që duhej të mbahet në mars/prill të vitit tjetër, ishin zhvillimet në VLEN ato që imponuan dinamikë tjetër. E meqë unë edhe ashtu kisha vendosur ta bëj këtë tërheqje në fillim të vitit tjetër, e bëra këtë tash, në mënyrë që vendimet e sotme për të ardhmen e Alternativës, por edhe të VLEN-it, t’i marrë lidershipi i ri. Kjo, sipas meje, është më e drejtë politikisht dhe moralisht”, shkruan Ibrahimi.



