Rajon

Syla për arrestimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së në Serbi: Iu gjet kartela e veteranit

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, ka thënë se për të arrestuarin e sotëm në Serbi bëhet fjalë për ish-luftëtarin e UÇK-së, Avni Qenaj.

Syla në një lidhje direkte në “60 Minuta” të KTV-së ka thënë se Qenaj është nga fshati Romajë, ndërsa sipas informatave atij i ishte gjetur edhe një kartelë e veteranit të UÇK-së.

Ai ka thënë se Serbia po vazhdon gjahun ndaj veteranëve të UÇK-së.

“Sipas informatave që kemi, edhe gjatë bastisjes atij i është gjetur kartela e veteranit, që e rëndon edhe më shumë akuzën e Serbisë, ndonëse akuzat janë të pabaza. Ai kishte kaluar disa herë kufirin me Serbi, pasi kishte një biznes në Bosnjë, sipas informatave që kemi. Asnjëherë nuk kishte telashe. Por është një gjah i Serbisë karshi luftëtarëve të UÇK-së dhe çlirimtarëve tjerë, që asnjëherë nuk e ndal”, ka thënë Syla.

Syla tha se informatat i kanë marrë si nga bashkëluftëtarët ashtu edhe nga dega e OVL-UÇK në Prizren. Ata kanë pasur kontakt me familjarët e Qenajt.

Ka thënë se nuk ka informata se në cilën pikë kufitare është ndaluar.

Syla ka thënë se shpreson në ndërhyrje të bashkësisë ndërkombëtare, pasi nuk ka shpresa te institucionet e Kosovës.

“Institucionet tona e dimë rolin e tyre, e dimë qasjen e tyre. E dimë se kjo ministre e Jashtme në detyrë çfarë qasje ka karshi bashkëluftëtarëve tanë. Nuk presim diçka nga institucionet tona. Shpresojmë bashkësia ndërkombëtare ta bëjë punën e vetë”, ka thënë Syla.

Ai ka shprehur pakënaqësinë që thirrjet për të mos kaluar nëpërmjet pikave kufitare me Serbinë nuk po dëgjohen.

“Kemi bërë qindra herë thirrje të mos kalohet jo vetëm nëpërmjet Serbisë, por edhe në pikat tjera si me Maqedoninë e Veriut apo Mal të Zi…S’duhet bërë veprime me provu. Nuk po e kuptoj fare. Në rrethana normale një luftëtar i UÇK-së nuk duhet në asnjë rrethanë me marrë rrugë nga Serbia, qoftë edhe për raste të ndonjë sëmundje të ndonjë familjari e lëre me për gjëra tjera. Jemi të zhgënjyer shumë që s’po dëgjojnë bashkëluftëtarët tanë”, tha Syla.

Related Articles

Back to top button
Close
Close