BotaLajme

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA voton për publikimin e dosjeve Epstein

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka votuar me shumicë dërrmuese pro një projektligji që detyron Departamentin e Drejtësisë të publikojë të gjitha dosjet dhe provat që lidhen me të ndjerin Jeffrey Epstein, i dënuar për trafikim seksual. Projektligji kaloi me 427 vota pro, pesë abstenime dhe një kundër, dhe tashmë pritet të votohet në Senat përpara se të shkojë për miratim final nga presidenti Donald Trump.

Ky votim shënon një moment të rrallë konsensusi pas muajsh debatesh dhe kundërshtimesh nga presidenti Trump dhe drejtuesit republikanë. Pavarësisht kundërshtimeve të tij të mëparshme, Trump ka deklaruar se do ta nënshkruajë projektligjin nëse miratohet edhe nga Senati.

Trump ishte kundër publikimit të dosjeve, mes pretendimeve se mund të implikohej personalisht, edhe pse ai ka mohuar çdo lidhje dhe ka thënë se ka shkëputur marrëdhëniet me Epstein vite më parë. Çështja ka shkaktuar tensione edhe brenda bazës së tij politike, ndërsa shumë mbështetës kërkuan transparencë të plotë.

Presioni ndaj republikanëve u rrit ndërsa të mbijetuara të abuzimeve të Epstein protestuan jashtë Kapitolit, duke kërkuar publikimin e dosjeve. Deputetja republikane Marjorie Taylor Greene iu bashkua protestuesve, duke mbështetur fuqishëm votimin e projektligjit.

Jeffrey Epstein akuzohej për trafikim të femrave, përfshirë të mitura, në festat e organizuara në ishullin e tij privat në Ishujt e Virgjër të SHBA-së, ku dyshohej se merrnin pjesë figura të fuqishme nga SHBA dhe jashtë saj. Ndër personat që janë përmendur në raportime kanë qenë Donald Trump, Elon Musk, princi Andrew, Bill Gates, Bill Clinton dhe të tjerë, të gjithë me mohime të plotë të akuzave.

Epstein u arrestua në vitin 2019 dhe vdiq në burg në gusht të po atij viti, ndërsa ishte në pritje të gjykimit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close