
Deputetja e LSDM-së, Sanja Llukarevska në debatin e komisionit, buxhetin e propozuar e vlerësoi si jokonsistentë, jorealist dhe të dëmshëm për ekonominë dhe qytetarët. Ajo vuri në dukje se buxheti nuk ofron masa për rritjen e pagave, as në përballjen me varfërinë dhe inflacionin.
Llukarevska paralajmëroi se vetëm 9% e shpenzimeve totale janë për investime kapitale, ndërsa 91% shkojnë në shpenzime joproduktive, dhe siç shtoi, “ulja e shpenzimeve kapitale për 7 miliardë denarë tregon se kjo Qeveri nuk ka kapacitet për zhvillim, as qëllim për të investuar në të ardhmen”.
Sipas saj, Qeveria ka shkurtuar fondet në sektorët kyç – mjedisin jetësor, drejtësinë, energjetikën dhe arsimin – gjë që kërcënon zhvillimin.
Llukarevska theksoi se Qeveria po planifikon një huamarrje të re të madhe prej 1.7 miliardë euro, borxh të ri, pra 950 milionë euro përmes një euroobligacioni, 350 milionë euro nga burime të huaja dhe 400 milionë euro brenda vendit.
“Borxhi publik do të tejkalojë 62%, një nivel që institucionet ndërkombëtare e konsiderojnë të rrezikshëm për një ekonomi të tillë. Qeveria po e shtyn vendin drejt paqëndrueshmërisë financiare”, theksoi Llukarevska, duke iu referuar vërejtjeve të Komisionit Evropian të cilat siç tha ajo, “janë injoruar plotësisht”.



