Revolta rinore/ Pedagogët protestojnë sërish në mbështetje të të rinjve

Pedagogët i janë bashkuar protestës së studentëve dhe kanë paralajmëruar se do të dalin çdo ditë në orën 10:00, duke e lidhur vijimin e tubimeve me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi, tha se përfshirja e botës akademike vjen pas mungesës, sipas tij, të një përgjigjeje konkrete ndaj kërkesave të ngritura nga të rinjtë. Ai e cilësoi dialogun e munguar si një prej arsyeve që ka çuar në përshkallëzimin e protestave dhe kritikoi mënyrën se si është ndërhyrë ndaj demonstruesve gjatë ditëve të fundit.

Kovaçi ngriti gjithashtu shqetësimin për praninë e personave me rroba civile gjatë përplasjeve, duke kërkuar që rastet e raportuara të verifikohen dhe siguria e qytetarëve të garantohet. “Brutaliteti ndaj rinisë shqiptare është i papranueshëm”, deklaroi ai, ndërsa u bëri thirrje ambasadave dhe përfaqësive ndërkombëtare të ndjekin nga afër zhvillimet në Shqipëri.

Pedagogët kërkojnë marrjen e përgjegjësisë politike nga qeveria dhe kanë bërë të ditur se protestat e tyre do të vazhdojnë. Ndërkohë, studentët dhe të rinjtë protestues refuzuan një ditë më parë ofertën e kryeministrit Rama për dialog.

5 KERKESAT E PEDAGOGEVE

Revolta rinore/ Pedagogët protestojnë sërish në

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) doli dje me pesë kërkesa publike në mbështetje të studentëve dhe protestave që po zhvillohen në vend.

Përmes një deklarate, SPUSH i bën thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen dhe të krijohet një qeveri kujdestare për të garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.

Pedagogët kërkojnë gjithashtu ndalimin e dhunës ndaj protestuesve, respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe reagimin publik të përfaqësive diplomatike në Tiranë.

1. I bëjmë thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit. Kërkojmë dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila të sigurojë stabilitetin institucional, qetësimin e situatës dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.

2.⁠ ⁠I bëjmë thirrje policisë dhe aktorëve të tjerë të ruajtjes së rendit që të ndalojnë menjëherë çdo akt dhune ndaj studentëve dhe të refuzojë të zbatojë urdhëra të paligjshëm. Mos harroni se ata që ju japin këto urdhra sot, nesër do t’i mohojnë, ndërsa përgjegjësia do të mbetet mbi ju që jeni dokumentuar nga filmimet e qytetarëve dhe mediave.

3.⁠ ⁠I bëjmë thirrje përfaqësive diplomatike në Tiranë që të ndërhyjnë publikisht për respektimin e të drejtave të qytetarëve, njësoj siç respektohen të drejtat e qytetarëve në vendet tuaja.

4.⁠ ⁠I bëjmë thirrje protestuesve që të mbrojnë bizneset dhe pronën publike e private për t’i hequr çdo justifikim qeverisë për ushtrimin e dhunës dhe delegjitimimin e protestës.

5.⁠ ⁠I bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës, që njësoj si në 1991 t’u bashkohen studentëve për të pamundësuar dhunën ndaj tyre. Asnjë qeveri nuk ka mjaftueshëm policë e gaz lotsjellës për një popull të tërë.