
Paketa e 20-të e sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë është në zhvillim e sipër dhe do të jetë gati “brenda një muaji”, njoftoi Presidenti Ukrainas, Volodymyr Zelensky, të dielën.
Lajmi vjen vetëm disa javë pasi paketa e 19-të e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë u miratua më 23 tetor.
Paketa, e zbuluar nga Komisioni Evropian më 19 shtator, synonte bankat ruse, të ardhurat nga energjia dhe rrjetet e përfshira në anashkalimin e kufizimeve ekzistuese të vendosura gjatë luftës në shkallë të plotë të Moskës kundër Ukrainës. Për herë të parë, BE-ja do të vendosë gjithashtu kufizime mbi platformat kriptovalutore dhe mbi bankat në Rusi dhe vende të tjera që lehtësojnë shmangien e sanksioneve.
Zelensky tha se Kievi do të propozojë që paketa e 20-të e sanksioneve të synojë edhe “personat juridikë dhe individët rusë”.
“Do të ketë gjithashtu përditësime mbi rrëmbyesit e fëmijëve ukrainas, kjo duhet të përballet me një presion vërtet global. Dhe, sigurisht, duhet të ketë gjithashtu një presion të konsiderueshëm më të madh mbi të gjitha skemat që mundësojnë prodhimin ushtarak rus. Kjo është jetike”, shtoi presidenti.
Miratimi i paketës së mëparshme të sanksioneve është pritur me kundërshtim nga disa vende evropiane, veçanërisht Hungaria dhe Sllovakia, të cilat herë pas here e kanë vonuar miratimin e tyre.
Përpara votimit për paketën e 19-të të sanksioneve, Austria hoqi dorë nga kundërshtimi i saj ndaj kërkesave që BE të kompensojë Raiffeisen Bank të Austrisë për humbjet e lidhura me kundërmasat ruse – një propozim i refuzuar nga shtetet e tjera anëtare.
Ndërkohë, Ukraina më parë është përpjekur të koordinojë sanksionet e veta me ato të aleatëve të saj perëndimorë.
Sakaq, gjatë ditës së dielë, zyra e Zelensky njoftoi se Kievi kishte vendosur sanksione të reja ndaj tetë zyrtarëve të lartë të Kremlinit, përfshirë të dërguarin special Kirill Dmitriev, si dhe pesë shtëpive botuese ruse për krime kundër Ukrainës dhe ukrainasve.



