LajmeMaqedoniTopLajm

Limani: Jam zgjedhur në përputhje me ligjin, mund të udhëheq me Gostivarin deri në zgjedhje

Në Gostivar, situata është e ndryshme. Pas zgjedhjeve të kaluara lokale, ish-kryetari Arben Taravari u bë ministër i Shëndetësisë dhe, për shkak të ndalesës për mbajtje të dy funksioneve, u ndryshua Ligji për Vetëqeverisje Lokale, duke mundësuar që Këshilli të zgjedhë ushtrues detyre të kryetarit.
Aktualisht, këtë funksion e ushtron Valbon Limani.

“Unë jam zgjedhur më 8 korrik 2024 nga Këshilli i Komunës së Gostivarit. Në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, Neni 4, e ushtroj funksionin deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Këto ishin ndryshimet e fundit të bëra nga kjo Qeveri,” deklaron Limani.

Ndërkohë, kundërkandidatët e AKI-së në Gostivar dhe Vrapçisht kërkojnë që të mos ketë ushtrues detyre, por që komunat t’i drejtojnë “të besuar” të Qeverisë, ndërsa kandidatët opozitarë kërkojnë respektim të ligjit ekzistues dhe rol të Këshillit komunal.

Në thelb, interpretimi i ndryshëm politik po ndikon në mënyrën se si kuptohet ligji për katër komunat ku zgjedhjet e 19 tetorit dështuan.
Kodi Zgjedhor, në Nenin 134, e rregullon këtë çështje:
Nëse edhe pas rrethit të dytë, për çfarëdo arsye, nuk zgjidhet kryetar komune, Komisioni Zgjedhor në afat prej 15 ditësh pas mbarimit të zgjedhjeve e njofton Qeverinë.
Pas marrjes së njoftimit, Qeveria emëron të besuarin e saj.
Qeveria, brenda 15 ditësh pas emërimit, e njofton kryetarin e Kuvendit për shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Në këtë rast, pasi zgjedhjet dështuan në rrethin e parë e jo në të dytin, mbetet e paqartë nëse Qeveria ka të drejtë të emërojë të besuar, apo nëse drejtimin e komunave duhet ta mbajnë këshillat ekzistues dhe ushtruesit aktualë të detyrës.

Nga KSHZ për “360 Gradë” thanë se:

“Zgjedhjet e reja duhet të mbahen më së voni 60 ditë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare. Për këto zgjedhje nuk vlen më kushti për dalje prej një të tretës së votuesve të regjistruar. Pas përfundimit të afateve për ankesa dhe pas vendimeve të Gjykatës Administrative, KSHZ do të konfirmojë rezultatet dhe do ta njoftojë Kuvendin.”

Në këtë përgjigje, megjithatë, nuk përmendet asnjë mundësi për “të besuar” të Qeverisë. Edhe vetë Qeveria, e pyetur për këtë çështje, nuk ka dhënë ende një qëndrim të qartë./360 Gradë

Related Articles

Back to top button
Close
Close